TIRANË- Për presidencën, Komisioni i Venecias i cili nuk i dha "ok" paketës 'Anti-Shpife i jep të drejtë presidentit Ilir Meta.
Me anë të një reagimi, këshilltari i kreut të Shtetit, Tedi Blushi, shkruan se 'Venecia; konfirmoi qëndrimin e drejtë të Metës, sipas së cilit këto ligje bien në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe të drejtën e lirisë së shprehjes.
"Ashtu sikundër pritej, Komisioni i Venecias ka konfirmuar qëndrimin e drejtë të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta për paketën anti-kushtetuese të ligjeve "anti-shpifje". Siç është sqaruar edhe me dekretet e Presidentit Meta, këto ligje jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me:
– Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit;
– Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit;
– Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim;
– Nuk janë në harmoni me standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut;
- Nuk janë në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Europianë të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ)
Pa garantuar lirinë e shprehjes nuk ka demokraci dhe nuk mund të ketë çelje të negociatave për anëtarësim. Liria dhe pavarësia e medias e para", shkruan Blushi.
Paketa anti-shpifje e qeverisë shqiptare nuk ka marrë "ok" nga Komisioni i Venecias, i cili në draft- opinionin e publikuar ditën e sotme, kërkojnë rishikimin ë saj. Në draftin e siguruar nga Report TV, thuhej se ky ligj nuk është gati për zbatim, pasi ka paqartësi dhe ndikon në lirinë e fjalës.