Komisioni i Venecias

Opinion

Ylli Pata: 'Venecia' vulosi tallavanë 5 vjeçare me emrin e saj, për të bllokuar reformën në drejtësi

14 Tetor 2021, 17:44| Përditesimi: 14 Tetor 2021, 17:48

  • Share

As nuk kishte dyshim që Komisioni i Venecias do të bënte një opinion, siç ai që u pubikua sot nga mediat, në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Kjo, jo vetëm duke u bazuar me logjikën normale por edhe kushtetuese të atyre zgjedhjeve, por edhe pse Komisioni “Demokracia Nëpërmjet Ligjit” i Këshillit të Europës, ishte shprehur një herë për këtë çështje, e pikërisht kur situata ishte ende e nxehtë.Në vitin 2019, kur Kuvendi bëri komisionin e parë për shkarkimin e Ilir Metës si President, dhe i kërkoi opinion Venecias, konstitucionalistët më të mirë të Europës, që japin interpretim për të gjithë botën në këtë fushë, shpallën se “Presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese, me çdekretimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019”.

Siç dihet, shtuan, se tejkalimi i kompetencave nga Meta, gjithsesi nuk përbën akt për ta shkarkuar, ngaqë dekretimi për çdekretim nuk u zbatua dhe zgjedhjet u mbajtën më 30 qershor. Pra akti i Metës, nuk u zbatua.

Duke pasur këtë opinion të salduar, u priste që Gjykata Kushtetuese, që përbëhet nga një ndarje polarizuese mes palëve dhe sikleti i tyre është i madh, ta shqyrtonte padinë e Voltana Ademit për të rrëzuar zgjedhjet, normalisht.

Por siç dihet, Kushtetuesja vendosi t’i kërkojë sërish Venecias një opinion, që do të ishte një konfirmim më i madh për ta.

E në atë kohë, palët në lojë që duan të rrëzohet 30 qershori 2019 si proces, kënduan fitore. Që nga Voltana Ademi si kërkuese juridike, juristi afër Metës, Jordan Daci, që është edhe avokati i çështjes në Kushtetuese, por edhe mediat pranë Presidentit dhe opozitës.

E këtu në fakt është kleçka që i ka dhënë “Venecias” si institucion në politikën shqiptare, fabulën e një “fitoreje surreale” që është përdorur në mënyrë abuzive, pikërisht se trajta e drafteve të Komisionit të konstitucionalistëve, kanë fraza të cilat panelistët e politika jonë i interpreton sipas mides.

E kjo ka nisur që në vitin 2016, kur Parlamenti miratoi me 140 vota ndryshimet Kushtetuese për Reformën në Drejtësi.

Edhe pse në ndryshimet kushtetuese, baza e reformës së re ishte vettingu por edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, PD e LSI, me anë të mekanizmave të saj në Gjykatën Kushtetuese të kohës, dërguan në Venecia këto dy themele të drejtësisë së re, pra vettingun e ONM-në.

Siç normalisht ndodh, ky proces do të vononte në kohë hyrjen në fuqi dhe implementimin e reformës, e natyrisht ligjeve të reja, të saj, të cilat ishin kundërshtuar en-block nga opozita dhe dërguar në Kushtetuese me kërkesë për t’i rrëzuar.

Gjykata Kushtetuese e kohës, u bë një bashkëpunëtore e këtyre palëve që kërkonin ta bllokonin reformën. Megjithatë në fundin e vitit 2016, erdhi në Tiranë Opinioni i Venecias për vettingun.

Konstitucionalistët, siç ndodh në kësi rastesh, përveç një mendimi mbi rastin specifik, zgjeruan volumin e diskutimit të çështjes, në mënyrë që të parapriheshin edhe problemet që mund të dilnin rrugës. Një punë që konstitucionalistët e aftë e bëjnë gjithmonë.

Venecia, siç dihet tashmë i dha një OK; si vettingut apo ONM-së, por nga opozita dhe panelistët e saj, nisi një batare e paarsyeshme, e palogjikshme, sikur Komisioni i juristëve më të mirë të Europës kishin rrëzuar vettingun. Normalisht kur drafti u zbardh, Kushtetuesja miratoi vettingun, e njëri prej gjyqtarëve të saj, siç dihet dha dorëheqjen, duke vështirësuar procesin e shqyrtimit të ligjeve që kishte dërguar opozita për reformën. Pra nisi manovra e parë e bllokimit të reformës.

Kjo vijoi edhe në 2017, siç dihet me çadrën, në 2019 me diegien e mandateve, e normalisht me bojkotimin e zgjedhjeve lokale, si akte për të bllokuar një normalitet institucional në vend.

Kur Ilir Meta në 2019-n, ç’dekretoi zgjedhjet e dekretuara me dorën e vet, e çoi çështjen nëë Venecia, e shpalli se nëse Komisioni “Demokracia Nëpërmjet Ligjit”, nuk do t’i jepte të drejtë, ai do të jepte dorëheqjen nga posti i Presidentit të Republikës.

Venecia e solli opinionin, ku tha se “Ilir Meta ka tejkaluar Kushtetutën”, por Presidenti tha se nuk ishte ashtu, se drafti i parë ishte shkruar nga Taulant Balla, më pas drafti i dytë u rregullua dhe thanë atë gjëra që donte Meta. A thua se Komisioni i Venecias është një OJF që jep çmime “Botërore” thjesht me honorare, e jo akja e konstitucionalistëve, që financohen nga buxheti i Këshillit të Europës, ku japin kuota 47 vende anëtare të saj.

Megjithatë, në fund edhe kjo mjergull panelesh u daravit kur u zbardh drafti i plotë, i cili gjithsesi nuk i dha të drejtë Ilir Metës për të çdekretuar zgjedhjet. Pasi siç është edhe logjike, nuk kishte si t’ja jepte.

Shqipëria kishte një precedent të pastër si kristali në vitin 2007, kur u shtynë zgjedhjet lokale, e presidenti i kohës Alfred Moisiu, i kërkoi Parlamentit që me dispozitë kalimtare, të detyronte kreun e shtetit të caktonte një datë të re zgjedhjesh. E ironia është se Meta, pikërisht këtë precedent e kishte si mbështetje bazike të dekret-çdekretit të tij.

Megjithatë, vulosja e sotme e Venecias për të hequr frikën e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, prej atyre që i kanë zgjedhur, është edhe një çaj i ngrohtë për ta në këto ditë virozash e ulje të beftë temperaturash, por edhe i vendos një pikëçuditëse abuzimit kaq skandaloz me një institucion kaq të rëndësishëm për Shqipërinë si Komisioni i Venecias.

I cili e ka ndihmuar aq shumë, që nga Kushtetutat që ne i kemi arnuar herë pas here, e deri tek kodet zgjedhore, që i bëjnë në çdo sezon, “sipas kërkesave të telespektatorëve”…

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?