Festivali mbarëkombëtar i komedisë “KoKo Fest” ka ngritur siparin e edicionit të 11-të. Ky edicion do të sjellë për publikun artdashës, trupat teatrore më të njohura nga Shqipëria, Kosova dhe Greqia, ku për 8 netë me radhë në skenën e teatrit "Andon Zako Cajupi" të Korçës do të ngjiten komedi nga më të bukurat.
Festivali u çel mbrëmjen e së mërkurës me veprën e Maksim Gorkit, “Vassa Zheleznova” me regji nga Enke Fezollari. Drama klasike u luajt nga një kast i mirënjohur aktorësh si Zamira Kita, Guri Koco, Rita Gjeka, Blerta Belliu, Dasara Xhangolli, Kejdi Gishto, Ilda Pepi, Paola Kodra, Urim Aliaj. Kjo dramë e shkruar nga Gorki në 1910, sjell tablonë e familjes, ulje ngritjeve të saj, marrëdhëniet brenda saj që janë herë tragjike e herë komike, që duan dashurinë e munguar dhe të gjithë përpiqen ta gjejnë me mënyra të ndryshme. Publiku ka mirëpritur lojën aktoriale të kësaj komedie që vihet në skenën shqiptare pas 62 vitesh.
Në natën e dytë, në skenë vjen komedia “Natën e mirë me burrin tim” me regji nga Jorgaq Tushe, prodhim i teatrit “Petro Marko” të Vlorës. Në vijim programi i Festivalit të Komedisë “Koko Fest” vijon me shfaqjen “Marika më thonë-Marika më quajnë”, komendinë “Club Albania”, “10 vjet martesë”, “Testamenti”, etj. Gjatë netëve të tij nuk mungojnë dhe artistë të ftuar si dhe në përfundim, mbrëmjen e 4 shtatorit do të ndahen çmimet e edicionit të 11-të.