Artisti Helidon Xhixha

Vepra e skulptorit Helidon Xhixha 'transformon' Zogun e Zi

14 Tetor 2018, 09:51| Përditesimi: 14 Tetor 2018, 10:02

  • Share

Një skulpturë e Helidon Xhixhës, skulptorit me famë botërore, është vendosur tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi në Tiranë, duke i dhënë një pamje moderne njërës prej zonave më të populluara të Tiranës.

Helidon Xhixha është djali i skulptorit të njohur durrsak Sali Xhixha. Ai ka emigruar në Itali që në vitin 1991,ku zhvilloi dhe një karrierë të pasur artistike.

Helidon Xhixha është një nga artistët që ka pushtuar me veprat e tij parqet publike të Italisë, disa vendeve të Europës dhe Amerikës. 

Skulptura e krijuar nga Xhixha duket se i ka ofruar një tjetër pamje kryeqytetit. Kjo vepër arti e Xhixhës vjen në kuadër të një projekti që vet kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, e ka prezantuar kohë më parë për rrethrrotullimin tek Zogu i Zi.

Projekti i ri parashikon një minipark, me një hapësirë qendrore për vendosjen e instalacioneve të ndryshme artistike, të cilat do të ndërrohen sipas stinëve. Ndërkohë, pjesa tjetër do të ketë disa hapësira me shatërvanë, ku do të mbjellim edhe bimësi shumë stinore, në mënyrë që edhe hyrja e Tiranës të ketë të njëjtin dinjitet si sheshi Skënderbej.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës

Vepra e Helidon Xhixhës e vendosur në sheshrrotullimin e Zogut të Zi është një vepër që krijon afeksion të menjëhershëm gjatë soditjes së saj. Lartësia sfiduese e skulpturës të krijon një atmosferë optimiste.

Vepra e Xhixhos

Me material që nuk ndryshket kurrë, kjo vepër krijon edhe relacione fantastike me dritën natyrale gjatë  ditës dhe me ndriçimet e natës. Përmes skulpturave të tij, Xhixha eksploron idenë e kaosit dhe rregullit, të para si koncepte që janë prezente edhe në filozofi, gjeometri dhe botën natyrale.

Helidon Xhixha, është një nga skulptorët më të kërkuar në Evropë, SHBA, Amerikë Latine dhe Lindje e Mesme.

Punët e tij janë prezantuar në sheshet më të njohura të qyteteve të Europës, ku dallojnë format abstrakte prej çeliku të pandryshkshëm. Xhixho ka vazhduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe më pas ka emigruar në Itali. Më pas në vitin 1998, ai ka shkuar në Londër, ku ka vazhduar Universitetin Kingston, ku ka përvetësuar më së miri teknikën e gdhendjes, skulpturës dhe fotografisë. Gjithashtu, Xhixha mbahet mend edhe për skulpturën e tij gjigante “Kalin” e Ferrarit, rreth 5 metra të lartë e 800 kg të rëndë, të cilën e realizoi në 2003-shin. Këtë skulpturë ia dhuroi komunës së Maranellos në shenjë të pasionit të tij si ferrarist.

Në vitin 2015, ai ka marrë pjesë në Bienalen e Venecias me veprën “Iceberg”. Xhixha pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka zhvilluar në Itali. Më pas ai ka gdhendur vepra arti në mbarë botën, përfshi edhe qiellgërvishtësen “Muza” në Florida.

Me një karrierë ndërkombëtare mbi 25-vjeçare, Xhixha ka fituar reputacionin e njërit prej skulptorëve më interesantë të skenës bashkëkohore, pasi është kontraktuar të krijojë dizajne të ndryshme në Europë, Shtetet e Bashkuara, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme.

I lindur në qytetin bregdetar të Durrësit dhe i rritur në shembullin e të atit, skulptorit të njohur Sali Xhixha, Helidoni ka përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet në çdo ekspozitë ndërkombëtare, duke u bërë një ambasador i kulturës tonë nëpër botë. Në vitin 2016, Xhixha prezantoi zyrtarisht Shqipërinë në Bienalen e Dizajnit të Londrës, ku fitoi Medaljen Publike për punën e tij.

Tema e shfaqjes ishte “Utopia e Dizajnit”, ndërsa prezantimi i Xhixhës-“Bliss” ka qenë  frymëzuar nga nocioni i Qytetit Ideal të Platonit dhe imazhet e Rilindjes së qytetit, duke i sjellë ato në epokën moderne.

Vendosja e punës në një kontekst social dhe politik është thelbi i një vepre të Helidon Xhixhës. Kështu e konceptoi edhe veprën “Iceberg” në Bienalen e Venecias në vitin 2015. Skulptura monumentale e çelikut notoi përmes kanaleve të Venecias si një ajsberg.

Xhixha ka kulmuar gjatë karrierës së tij me ekspozitën e tij personale brenda mureve të Pietrasantës në Toskanë, ku ai përdori mermerin e famshëm të guroreve lokale për punën e tij, të njëjtin që përdorej dikur nga Mikelanxhelo.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?