Teatri La Scala në Milano hapi sezonin e tij operistik 2022-2023 mbrëmjen e së mërkurës me veprën ruse "Boris Godunov". Mbrëmja gala u shoqërua nga protesta kundër luftës në Ukrainë jashtë ambienteve ku po zhvillohej ngjarja e madhe kulturore.
Në opera ishin të pranishëm kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, Presidentin Sergio Mattarella dhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Të pyetur për këtë përfaqësim kulturor rus, politikanët në këtë Opera thanë se politika dhe kultura duhet të mbahen të ndara.
"Ne nuk kemi asgjë kundër popullit rus, kundër historisë ruse, kundër kulturës ruse," u tha Meloni. ‘Kultura ruse do të nderohet, ne nuk do të lejojmë Putin ta shkatërrojë atë’, tha Von der Leyen.
Jashtë teatrit protestuesit valëvitën flamurin e Ukrainës me pankartat “Rusia duhet të izolohet. Ne duam të jemi të lirë”. Drejtori artistik i La Scala, Dominique Meyer muajin e kaluar mbrojti vendimin e tij për të vënë në skenë veprën, shkruar nga kompozitori rus Modest Mussorgsky në shekullin e 19-të. Meyer tha se opera ishte zgjedhur tre vjet më parë dhe nuk përbënte propagandë pro-Putinit.
Opera tre-orëshe, e bazuar në një shfaqje të shkrimtarit rus Aleksandër Pushkin, rrëfen historinë e Car Boris Godunov i cili u çmend dhe vdiq i pushtuar nga faji për vrasjen e një rivali të ri për fronin në fund të shekullit të 16-të.