Veprat e Kolë Idromenos, Eleni Laperi: Pse nuk dihet sa la pas! Krijimet e tij duhen ruajtur në mënyrë të veçantë

16 Janar 2023, 18:04| Përditesimi: 16 Janar 2023, 18:24

  • Share

TIRANË- Nga  portreti  ‘Matia Kodheli’ që  firmosi në 1878 e deri në ndarjen nga jeta në ’39, veprat që jetësoi Kolë Idromeno shërbyen si trampolinë për të lidhur Shkodrën e Shqipërinë me artin pamor...

 “Kolë Idromeno ishte jo vetëm piktor, jo vetëm fotograf, por ishte arkitekt, skenograf, skulptor, inxhinier, pra ishte vërtetë tamam njeri me prirje me dëshira, me pasione të shumëanshme, dhe ndikimi i tij në kulturën e asaj kohe, mund të thuash se është mjaft i madh, se ai ndryshoi mentalitetin, ndryshoi mënyrën se si e shikonin botën dhe veten e tyre, bashkëqytetarët e tyre jo vetëm kristian, por edhe mysliman”, tregon Laperi.

Eleni Laperi në hulumtimin e plotë që bën rreth tij në librin “Kolë Idromeno -themelues i artit shqiptar”, analizon veprat  madhore, nga “Motra Tone”, tek “Dy rrugët”, “Dasma shkodrane” etj., por siç rrëfen, sot nuk mund të flitet për një numër të saktë të veprave që Idromeno la pas.

“Sepse Kolë Idromeno kur ndërroi jetë, ai dhe gruaja e tij ata nuk lanë fëmijë, dhe në shtëpinë e tij erdhën të banonin familjet e mbesave dhe , nipër, mbesa të tij, sepse ata mbas 1945-ës u persekutan. Dhe duke qenë se një pjesë e madhe e meshkujve të familjes, u burgosën, mbetën vetëm gratë dhe fëmijët me shumë probleme ekonomike. Dhe e para që ata nuk arrinin ta vlerësonin aq sa duhet veprën e Idromenos, e dyta shumë prej veprave të tij janë shitur, dhe nuk është se është mbajtur shënim se kush i ka blerë, kujt i janë shitur. Kështu që është shumë e vështirë, tani për tani, për të thënë se sa vepra ka lënë Idromeno, në pikturë, në vizatim, në skulpturë etj”, u shpreh Laperi.

Në një kohë që Galeria e Arteve është në rikonstruksion e pritet që në konceptin e  Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura, veprat e artistëve kryesorë të sillen më pranë publikut,  Laperi shpjegon nëse Idromeno duhet të ketë një kënd të veçantë.

“Veprat e tij duhen ruajtur në mënyrë të veçantë sepse është i pari, është i pari artist realist shqiptar. Mund të mos jetë në lartësinë e artistëve evropianë, sepse ndonjëherë e përmendin dhe si Leonardo Da Vinci shqiptar, që është diçka mjaft e ekzagjeruar, por për ne është i rëndësishëm. Ne këtë duhet të kuptojmë, që të gjithë ata që kanë punuar për Shqipërinë, në të gjitha fushat e jetës, për ne janë të rëndësishëm. Sepse mbi ata është ngritur e gjithë krijimtaria e mëpasme në Shqipëri”, përfundoi Laperi.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?