Donald Trump, Presidenti i SHBA

Opinion

Veprimi i papritur i Trump-it trondit 'Amerikën e tij'

22 Qershor, 20:40| Përditesimi: 22 Qershor, 20:51

  • Share

Shkëputja e Donald Trump me sulmin ndaj Iranit ka tronditur Amerikën e tij, ka krijuar shqetësim në mbarë botën dhe gjithashtu brenda vetë galaktikës MAGA (Make America Great Again). Nuk ishte plotësisht i papritur, në dritën e përshkallëzimit të fundit verbal, por mbetet një akt tronditës.

Ky ishte një president i perceptuar nga shumë prej votuesve të tij si izolues në kuptimin pozitiv, një lider që do të shmangte përfshirjen e vendit të tij në konflikte ndërkombëtare, duke rrezikuar jetët e ushtarëve amerikanë dhe duke shpërdoruar burime ekonomike në aventura të stilit si 'xhandari i botës'

Por ai guxoi të bëjë atë që asnjë prej paraardhësve të tij nuk kishte bërë, një bombardim të drejtpërdrejtë dhe në shkallë të gjerë kundër disa objektivave në territorin iranian.

Tani Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni po përpiqen të kufizojnë përmasat e operacionit, nuk bëhet fjalë për hyrje në luftë, por për shkatërrim të saktë dhe të synuar të disa objekteve bërthamore. Nuk është e thënë që kundërshtari i goditur ta shohë ashtu, dhe të sillet në përputhje me këtë. Për më tepër, një vlerësim fillestar nga krerët ushtarakë amerikanë flet për dëme në objektivat bërthamore, por nuk e konfirmon shkatërrimin e plotë të tyre.

Nëse kërkojmë precedentë historikë amerikanë për Iranin, mund të kujtohen dy raste. 45 vjet më parë, në prill 1980, presidenti Jimmy Carter urdhëroi një sulm ushtarak në territorin iranian për të liruar 52 amerikanë të mbajtur peng në ambasadën amerikane në Teheran, ajo mision përfundoi në një dështim poshtërues, që i dha një goditje fatale besueshmërisë së Carter-it, i cili humbi zgjedhjet. Pengjet u liruan pas 444 ditësh, pasi kishte fituar republikani Ronald Reagan. Opinioni publik amerikan mbeti i traumatizuar për një kohë të gjatë nga kujtimi i atij operacioni të dështuar me imazhet e një përplasjeje tragjike të helikopterëve amerikanë në shkretëtirë dhe çdo ndërhyrje ushtarake në Iran dukej "off limits". Edhe pse, në atë rast, dhimbja për pengjet i kishte dhënë një lloj legjitimiteti fillestar operacionit, edhe pse zbatimi i tij ishte jashtëzakonisht i paaftë.

Një precedent tjetër, shumë më i afërt, daton në mandatin e parë të Trump. Më 3 janar 2020, gjenerali Qasem Soleimani, komandant i forcave Quds (pjesë e Gardës Revolucionare iraniane), u vra nga një dron amerikan me urdhër të Trump. Por ai ndodhej në Irak në momentin e goditjes. Përshkrimi "operacion kirurgjikal" i përshtatej më mirë asaj goditjeje sesa bombardimeve të objekteve bërthamore, të cilat ishin më të gjera dhe ndodhën drejtpërdrejt në territorin iranian.

Sa për luftëra të vërteta, precedentët amerikanë në Lindjen e Mesme përfshijnë luftën e parë të Gjirit të udhëhequr nga George Bush i vjetër në vitet 1990–91, operacioni “Desert Storm”; pushtimin e Afganistanit (7 tetor 2001 – 30 gusht 2021); dhe atë të Irakut në fillim të 2003, të dyja nën presidencën e George Bush të ri. Së fundmi, lufta e Barack Obama-s në Libi që rrëzoi Gadafin në 2011. Lufta e parë e Gjirit kishte një legjitimitet të konsiderueshëm ndërkombëtar, pasi ishte një përgjigje ndaj agresionit dhe aneksimit të Kuvajtit nga Sadam Huseini. Ndërhyrja e dytë në Irak dhe, edhe më shumë, ajo në Afganistan, u legjitimuan fillimisht nga sulmet e 11 shtatorit, edhe pse më vonë u zbulua se armët e shkatërrimit në masë të Sadamit ishin një trillim amerikan. Në Libi, Obama bëri një gabim të madh me pasoja katastrofike, por arriti të marrë miratimin e OKB-së për ndërhyrjen.

Kjo përmbledhje historike shërben për të rikujtuar një gjë, Trump gjithmonë i ka dënuar luftërat në Lindjen e Mesme të paraardhësve të tij. Fati politik i këtij presidenti, ngjitja e tij në Partinë Republikane në 2015, u shoqërua me një sulm ideologjik ndaj mendimit neokonservator që kishte frymëzuar politikën “imperialiste” në Lindjen e Mesme, iluzionin për të rrëzuar regjime, për të eksportuar demokracinë, për të imponuar hegjemoninë amerikane në atë rajon. Trump e ndërtoi reputacionin e tij si izolacionist pikërisht duke denoncuar kotësinë e atyre që pretendonin të ishin gjyqtarë dhe ushtarakë të botës.

Tre figura kyçe të galaksisë MAGA nënpresidenti JD Vance, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe drejtoresha e CIA-s Tulsi Gabbard kanë një të përbashkët, kanë mbajtur uniformën dhe kanë qenë në front në Irak. Ata i përkasin një brezi që është ndjerë i sakrifikuar, i dërguar në një luftë të pakuptimtë nga një elitë globaliste që ndiqte interesa të dëmshme për popullin amerikan. Ata gjithashtu kanë parë nga afër dëmet që ato luftëra kanë shkaktuar tek veteranët: përveç të vdekurve, edhe shumë të plagosur dhe të paaftë për gjithë jetën, sëmundje mendore, varësi nga droga, vështirësi për t’u rikthyer në jetën civile. Tek elektorati MAGA ekzistonte bindja se Trump do t’i mbronte nga rreziku i një rikthimi në atë makth. Dhe deri dje ose pardje  vetë Trump dukej se konfirmonte këto pritshmëri. Në fushatën zgjedhore ai ka kujtuar shpesh se gjatë presidencës së tij nuk shpërthyen luftëra, ndryshe nga ç’ndodhi me Obamën dhe Bidenin.

Çfarë e shtyu ta bëjë këtë hap?

oli i Benjamin Netanyahut ka qenë me siguri vendimtar. Duke eliminuar ose dobësuar aleatët e Iranit Hamasin, Hezbollahun, Asadin  forcat e armatosura izraelite kanë ulur rreziqet që një goditje ndaj Iranit të sjellë një shpërthim të përgjithshëm në gjithë Lindjen e Mesme. Trump pa një mundësi: të zgjidhë përfundimisht kërcënimin iranian një pengesë që ka ndjekur çdo president amerikan që nga Carter, pra 46 vjet pa gjetur zgjidhje duke marrë një sukses historik pa rrezikuar shumë. Në fjalimin e tij televiziv të së shtunës në mbrëmje, Trump theksoi efikasitetin vdekjeprurës të armëve amerikane, një mesazh për të gjithë botën, përfshirë Rusinë dhe Kinën.

Çfarë mund të shkojë keq? Aktualisht, shqetësimi i Pentagonit lidhet kryesisht me hakmarrjet e mundshme iraniane ndaj ushtarëve ose civilëve amerikanë në rajon: nga Iraku në Siri, nga Katari në Bahrein. Po ashtu, hakmarrjet e Teheranit në rrugët e furnizimit me naftë, veçanërisht në ngushticën e Hormuzit: megjithatë, në këtë rast, shqetësimi prek më shumë aleatët e Amerikës (Evropën, Japoninë), pasi SHBA është energjetikisht e vetë-mjaftueshme. Më gjerësisht, ekziston spektri i terrorizmit, i atentateve me të cilat regjimi i ajatollahëve mund të kërkojë të hakmerret ndaj Amerikës.

Përveç nëse, natyrisht, realizohet operacioni “ndërrim regjimi”, dhe në Teheran vjen në pushtet një klasë drejtuese që pranon të heqë dorë nga armët pas 46 vitesh armiqësi ndaj Izraelit dhe Amerikës. Për momentin, megjithatë, Trump ka hequr dorë nga fjalët për përmbysje të regjimit. Nëse ky skenar (rrëzimi i Khamenei-t, ndoshta pas një grushti të brendshëm që sjell në pushtet një krah më të moderuar) nuk realizohet, nuk përjashtohet që një Iran i dobësuar, por ende i gjallë, të fillojë përgatitjen për hakmarrje; që kundërpërgjigjet, kur të vijnë, ta detyrojnë Amerikën të reagojë goditje për goditje, dhe kjo të tërheqë Trump-in drejt një skenari që ai vetë e kishte mohuar. Për momentin, ai duket i bindur se mund t’ua “shesë” amerikanëve bombardimin e objekteve bërthamore si një blitz i vetëm, një goditje e fuqishme që frenon Iranin, i bën më të sigurt aleatët e Amerikës, rikthen besueshmërinë maksimale të fuqisë amerikane në sytë e botës – por pa e lidhur duart për të ardhmen dhe pa hyrë në një logjikë përshkallëzimi. Është një bast i guximshëm, si shumë prej lëvizjeve të këtij presidenti./Corrieredellasera

H.K/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA-së ndaj impianteve bërthamore të Iranit?