Ekonomi

Vera shtrenjton më shumë çmimet e ushqimeve, 50% ndikim në rritjen e inflacionit

8 Korrik, 15:24| Përditesimi: 8 Korrik, 17:11

  • Share

Në kulmin e prodhimit bujqësor në vend, zarzavatet po i blejmë më shtrenjtë. Mungesa e prodhimit, e shoqëruar me abuzim në çmime nga grumbulluesit në fermë e deri tek tregtarët e pakicës që shesin për qytetarët, po bën që kostot e jetesës të rriten shpejt.

Instituti i Statistikave njofton se në qershor inflacioni arriti në nivelin më të lartë në 16 muaj duke kapur shifrën 2.4%, ku shtrenjtimi i ushqimeve ka ndikuar me 50%.

“Rritja vjetore e çmimeve në muajin Qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,19 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,36 pikë përqindje”, thuhet në raportin e INSTAT.

Tkurrja e numrit të bagëtive por edhe rënia e sektorit të bujqësisë pasi çdo vit e më shumë po ulet sipërfaqja e tokës bujqësore që mbillet po ndikon në shtrenjtimin e produkteve kryesore të shportës.

Sot në tregjet e Tiranës domatet shiten me 150 lekë/kg, kastraveci me 100 lekë/kg, patate e qepë midis 80-100 lekë/ kg apo specat deri në 180 lekë/kg. Po kështu shalqiri është fiksuar në 50 lekë/kg e pjepri në 100 lekë.

Këto çmime për bujqit e Myzeqesë e më gjerë janë absurde, pasi prodhimin ata e shesin gati dyfish më lirë për grumbulluesit, por gjatë rrugës nga fermeri tek konsumatori final çmimi vetëm rritet. Kjo kosto e abuzimit rëndon mbi xhepat e familjeve në vend, që paguajnë më shumë për furnizimin me ushqim.

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    I kishin mbetur edhe 3 muaj burg, si e vlerësoni lirimin e Salianjit?