Kultura

Verdi Take, kineasti i shumë filmave të dashur shqiptarë rrëfen në ‘Esencë’ ‘luftën’ për të ndjekur pasionin! Dhe një surprizë emocionuese nga vajzat

14 Dhjetor 2022, 19:12| Përditesimi: 14 Dhjetor 2022, 22:08

  • Share

Ishte 7-vjeç kur kishte lindur tek ai dëshira e madhe për të ndjekur teatër.  Dhe ky moment ishte për të mbi gjithçka. Ai hynte fshehurazi në sallë dhe shihte më ëndje shfaqjet e teatrit, një dëshirë që ngjizi tek ai pasionin për ta ndjekur këtë rrugë. Skena që të kujtojnë filmin e famshëm të Tornatores “Cinema Paradiso” por njëherësh dëshirën e pa lëkundur që lind me njeriun, për të ndjekur një pasion në jetë. Edhe pse mes sfidave, kështu do të ishte për regjisorin Verdi Take, i cili  erdhi në program për të na rrëfyer  jetën  dhe profesionin, që u bë vetë jeta e tij.

Bir i një familjeje artistësh, ai lindi me emrin e një kompozitori si Giuseppe  Verdi. I ati flautist, me admirimin për artistët e quajti atë Verdi, ndërsa të bijën Anita.

Jeta për të ka qenë sfiduese, por ai rrëfen se asnjë rrugë e detyruar që iu desh të merrte në jetë nuk e zbehu tek ai, pasionin për filmin dhe regjisuren. Në vitet ‘60, ai punoi si një nga skenaristët dhe regjisorët  e atyre filmave ushtarakë në Kinostudion “Shqipëria e re”. Edhe pse përfundoi fakultetin Ekonomik dhe Shkollën Ushtarake asgjë nuk e dorëzoi  atë dhe përkushtimin për filmin. Ai ende sot, në moshën 85-vjeçare ruan me fanatizëm dëshirën e paepur për krijimtari artistike.

Humbja e bashkëshortes në moshë të re, bëri që ai të merrte për fëmijët e tij të dy rolet e prindërve më vonë gjatë jetës. Një surprizë emocionuese në formën e një video mesazhi erdhi për Verdin nga dy vajzat e tij Miranda dhe Alketa.

Një prej miqve të tij të viteve të fundit, me të cilin ai ndan pasionin për peshkimin Jano  në mesazhin e tij surprizë, ndau kujtime të bukura dhe vlerat e miqësisë që zgjat.

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?