Temperaturat e larta dhe qëndrimi “jo i kujdesshëm” në plazh mund të kthehen në burim sëmundjesh për lëkurën. Dermatologia Violeta Dajçi, në një intervistë për Report Tv, nënvizon se gjatë verës, problemet dermatologjike mund të jenë të ndryshme, nga alergjitë e lehta, te irritimet, e deri te infeksionet.
“Mund të jenë infeksione bakteriale, virale, mykotike, ndonjëherë edhe infeksione të tjera parazitoze që kalojnë nga një person te një tjetër për shkak të kontakteve që mund të kemi. Patologji të tjera që janë të shpeshta në këtë periudhë janë edhe alergjitë e ndryshme që ndodhin kryesisht nga ekspozimi në diell”, tha dermatologia Violeta Dajçi.
Sipas saj, fëmijët janë më të rrezikuar për të zhvilluar infeksione, veçanërisht gjatë qëndrimit në plazh. Ato shfaqen në formën e shenjave të kuqe në lëkurë, dhe në disa raste, mund të jenë edhe ngjitëse.
“Ato fillojnë si pika të vogla dhe më pas shfaqen në trajtën e hartave rrumbullake që vijnë e përhapen, e më pas zgjerohen. Mund të marrin edhe gjithë sipërfaqen e lëkurës ose mund të kalojnë shumë shpejt nga një person te tjetri. Duhet të trajtohen shumë mirë, pasi përveç përhapjes, mund të lënë edhe shenja në lëkurën e fëmijëve që është e vështirë të largohen më pas.”
Çfarë masash mund të marrim për të parandaluar infeksionet e mundshme?
“Shpëlarja gjëja e parë e më pas do thoja ndërrimin e peshqirëve, ose atyre që mund të kenë përdorur edhe persona të tjerë. Do ishte mirë që mos përdoren edhe shapkat e njëri-tjetrit sepse edhe këto janë mbartëse të këtyre infeksioneve mykotike”, thotë dermatologia Violeta Dajçi.
Edhe pse rrjetet sociale janë të mbushura me teori që e kundërshtojnë përdorimin e kremit mbrojtës, dermatologia i hedh poshtë këto pretendime. Megjithatë Dajçi paralajmëron se duhet të përdoret me sasi të limituara në oraret e pikut të vapës.
“Edhe ato duhen përdorur, siç themi në gjuhën popullore, me “karar”. Shpesh dëgjojmë në rrjetet sociale apo bëhen trend nga blogerët, shkencërisht nuk është vërtetuar, që produktet apo edhe kremrat që mbrojnë nga rrezatimi diellor kanë veti kancerogjene. Në mënyrë kategorike kjo nuk është e vërtetë. Kjo ndodh kur kremrat përdoren më shpesh se sa duhet, kur abuzohet me kremrat, kur përdoren kremra që karakterizohen jo të mirë”, shprehet ajo.
Ndërsa uji i detit njihet për efektet e tij kuruese, papastërtitë e ujit mund ta kthejë atë në burim infeksionesh, sidomos nëse keni ndonjë plagë të hapur.
Komente
