Stina e vjeshtës bën bashkë bujq, fermerë, vreshtarë rrushi, korrje jonxhe dhe mbledhje në dengje bari nëpër fusha, si ushqim për bagëtitë në stinën e dimrit. Në reportazhin e radhës, emisioni “Veri Jug” në Report Tv udhëtoi në njësinë administrative të Gjocajt, brenda hartës së bashkisë së Peqinit.
Është ende mëngjes dhe me gazetarin Agim Pipa ndjekim gjurmët e një dite pune të specialistit të bujqësisë, Nazif Xhyrës. I cili, del nga shtëpia, mbushet me aromat e mandarinave në oborrin e shtëpisë dhe na bashkohet në udhëtimin tonë drejt një vreshte të madhe me rrush.
Është koha e vjeljes së rrushit dhe rruga na sjell në kopshtin e familjes Dana, ku, e zonja e shtëpisë, Elvira, po mbledh në një pjatë disa bistaqe rrush për tavolinën e drekës.
“Kemi 100 rrënjë rrush. Po i përgatisim për raki. Verë nuk e bëjmë dot”, shprehet Elvira Dana, banore në fshatin Hasmacaj.
Në fshatin Hasmacaj, takojmë drejtorin e seksionit të Bujqësisë, në Bashkinë e Peqinit, Nazmi Xhyra, në fermën e një shqiptari që la italinë për tu marrë me bujqësi në vendin tonë.
“Jemi në fermën e zotit Ali Hidri, i cili ka lënë Italinë, për tu marrë me bujqësinë, me punën e vreshtit. Ka një ha rrush që e kultivon për tregti dhe ia ka parë hajrin kësaj pune, vazhdimisht i ka shtuar sipërfaqet në këtë kulturë”, shprehet ai.
Xhyra na tregon se janë 245 fermerë që merren vetëm me kultivimin e vreshtave në Peqin.
“Në 2 vitet e fundit bashkia e Peqinit prioritet po i jep kultivimit të dru frutorëve, të vreshtarisë”, thekson ai.
Fermerët duke korrur
Drejtori i seksionit të Bujqësisë, në Bashkinë e Peqinit, Nazmi Xhyra dhe gazetari Agim Pipa
Pas dy orësh, udhëtimi ynë vazhdon në një zonë tjetër, rreth 60 kilometra në jug të Peqinit dhe brenda hartës administrative të kryeqytetit. Kamera e “Veri Jug” ju sjell pamje nga fushat e mbjella me misër në Baldushk, ku qindra bujq, fermerë dhe familje bujqësore, tash janë në ditët e korrjes së misrit.
Fushat me misër në Baldushk
Me kombajna të mëdha që i gjejmë edhe rrugës, ndërsa ato po zbresin drejt arave ku misri gjelbëron në lartësinë mbi 3 metra. Por korrje edhe me dorë, me drapër. Peisazh tipik fshati në stinën e vjeshtës në një zonë mjaft të njohur edhe për rritjen e gjelave të detit, aq të shijshëm dhe të frekuentuar në festat e fundvitit.
“Ka filluar korrja e misrit dhe vazhdon deri në muajin tetor, dora e parë, por ka edhe misër kulturë të dytë që mbillet, por është shumë pak. Kultura e parë plotëso rreth 100 ha në të gjithë njësinë administrative. Kultura e dytë është kultura e vonë që mbillet pas korrjes së grurit. Sipërfaqja është pakësuar nga 270 ha para 1990 në 100 ha sot. Nuk ka fuqi punëtore, ka mungesë të të rinjve, s’ka të rinj që punojnë në bujqësi”, tregon Hamdi Shabani, agronom.
Kombajna në rrugë
Pas pak shkojmë në fshatin Mustafakoç, një fshat me rreth 115 familje bujqësore. Shumë shpejt, këtu rrethohemi nga një peisazh krejtësisht i gjelbërt, nga misri i lartë mbi 3 metra në parcela dhe disa tenda rrushi. Pronarët e kësaj are janë Sabije dhe Ylli Daja.
Ara me misër
Sabije Daja rrëfen punën e madhe në arat me misër, dashurinë për tokën dhe koston ekonomike të arat e familjes. Problemi më i madh, mungesa e ujit për vaditje.
“Fshati ka lodhje, por ka edhe të mira. Një familjar që është në katund dhe të mos ketë tokë, është e kotë. Shumica thonë që s’kemi ç’e duam tokën, por toka të jep të ushqehesh. Sot rinia ka ikur, nuk ka më rini, kanë ikur. Ne që kemi ngelur këtu do t’i përballojmë të gjitha. Këto i hanë lopët e pulat. Kam 150 pulë, 2 lopë e viça. Pa punë je zero. Kështu thotë italiani” rrëfen ajo.
Sabije Daja dhe gazetari Agim Pipa në arat me misër
Ylli Daja: E kemi vaditur misirin 4 herë, me impiant.
Agim Pipa: Për çfarë e përdorni misirin?
Ylli Daja: Një pjesë e kemi bërë silazh për lopët, ushqim. Pjesën tjetër e mbajmë për pulat. Pjesa tjetër nevoja familjare, bukë misiri. Korrjen e bëjmë me autokombajne.
Ylli Daja dhe gazetari Agim Pipa në arat me misër
Në fshatin Balaxhias, dy tre kilometra para fshatit Mustafakoç në pamundësi për ta korrur misrin me kombajna, mjaft fshatarë e korrin vetë misrin, me drapër dore.
Bujku Albert Harizi duke korrur misrin me drapër
Ky ishte reportazhi i dytë në nisje të sezonit të ri televiziv, ku Veri Jug ju solli aromat e freskëta të vreshtave me rrush nga fshati Gjocaj i Peqinit dhe peizazhet në Baldushk të Tiranës, ku misri është kryefjala e punëve të ditës.
Komente

Qeveria duhet ti mbeshtese fuqishem dhe me politika afategjata fermeret se keto ushqejne popullin!
Përgjigju