Sociale
Reportazh

‘Veri Jug’ udhëton drejt Drenovës! Vendlindja e Asdrenit dhe tradita e rrallë e rakisë së manit (VIDEO)

7 Shtator, 16:00| Përditesimi: 7 Shtator, 16:51

  • Share

Në nisje të sezonit të ri, "Veri Jug" udhëtoi në fshatin Drenovë. Fshati me një sipërfaqe prej 93 km katrorë vetëm 5 km larg Korçës, nën këmbët e malit Morava. Në Drenovën piktoreske jeton për qindra vjetësh një popullsi autoktone liridashëse, me njerëz punëtorë, me kulturë jetese të lashtë, me rrugë të gjera, shtruar me kalldrëm para 300 vjetësh dhe me një yll në historinë e fshatit, Aleksandër Stavre Drenovën ose Asdrenin, Drenovarin që i dhuroi Shqipërisë vargjet e famshme të himnit tonë kombëtar.

Rrugët me kalldrëm të Drenovës

Në Drenovë, si askund në Shqipëri, gjendet një plantacion jo i madh me pemë manin e zi. Pemë 400-500 vjeçare, pothuaj në çdo kopësht të çdo familjeje. Ndërsa mjaft shtëpi karakteristike drenovare janë zbukuruar me mozaik dhe afreske nga duart e artistëve vendas.

Pas vitit 1945, në Drenovë erdhën mjaft familje me kombësi bullgare, që qysh prej asaj kohe jetojnë në harmoni me banorët autoktonë të fshatit. Pjesa e dërrmuesve e banorëve në Drenovë merren me bujqësinë, sepse në fushat e Drenovës mbillet grurë, mbillet misër. Në kopshtet e Drenovarëve, mbillet mollë, kumbulla, mana dhe jemi në sezonin kur në mjaft shtëpi tani po nxjerrin rakinë e manit në mënyrë artizanale.

Drenovë

Për të mësuar më shumë për Drenovën, pak histori dhe pak nga jeta e këtij fshati takohemi me kryetarin e fshatit, Vangjel Nasi. Në këtë shesh gjejmë bustin e një prej burrave simbol të këtij vendi. Është busti i patriotit, filozofit, poetit, shkrimtarit Aleksandër Stavre Drenova. Një bust me flamurin kombëtar në krah.

“Aleksandër Stavri Drenova është gjigand i poezisë, gjigandi i letërsisë, gjigandi i emrit tonë kombëtar. Duhet të kishte pak më shumë, jo me këtë bust, të kishte një bust gjigand. Një shtatore të madhe, e meriton vërtetë. Duhet të ketë më shumë kujdes nga Qeveria, Ministria e Kulturës. Pak më kulturë për njerëz e mëdhenj të kulturës” shprehet Vangjel Nasi.

Busti i Asdrenit në Drenovë

Kryetari Nasi tregon se “Drenova është fshat i vjetër, fshat me kulturë. I ndërtuar shumë vite përpara, të gjithë emigruan në Amerikë, flasim për autoktonët. Kanë bërë shumë gjëra për fshatin, duke filluar nga muzeu, nga shkolla e parë shqipe që i dhuruan fshatit me investimet e tyre. Kanë ndërtuar kinemanë e parë, që s'ishte as në Korçë. Drenovarët e kanë bërë këtu.”

Agim Pipa: Sa banorë ka sot Drenova. Me se merren më shumë familjet, cila është baza e ekonomive të familjeve këtu në Drenovë?

Vangjel Nasi: Nga 3 mijë banorë që kishte, sot janë 180. Janë të gjithë të emigruar. Lëvizje e lirë e njerëzve, për një jetë më të mirë. Shkolla ka patur 900 nxënës, sot janë 6. Drenova është shpërngulur e tëra.

Kryetari i fshatit Vangjel Nasi dhe gazetari Agim Pipa

Në Drenovë nuk ka familje që tash, me fillimin e vjeshtës, të mos gjejnë manin e zi dhe të mos nxjerrin në mënyrë artizanale me kazanë të mëdhenj bakri, raki nga më e mira në të gjithë vendin. Familja e zonjës 80-vjeçare, Tatjana Cico, është njëra prej tyre.  

Agim Pipa: Po, kush e nxjerr rakinë e manit?

Tatjana Cico: Në Drenovë, gratë e nxjerrin rakinë e manit. S'ka shtëpi pa kazanë, s'ka shtëpi pa mana Drenova. Unë. Dhe kazanin e heq, nxjerr rakinë. Jam plak e mashkull. Kam 52 vite këtu në Drenovë që jam martuar. Se jam me origjinë, jam nga Lavdari i Oparit. Mora, mora zakonin e vjehrrës.

Agim Pipa: Sa raki arrin në nxirë në një sezon?

Tatjana Cico: Nxjerrim 50-60 kg.

Tatjana Cico dhe ambienti ku nxirret rakia e manit

Vijojmë udhëtimin në mjediset e fshatit në Kroki dhe takimin me njerëz të punës, me blegtorë drenovarë, që qysh nga fillimi i verës, bagëtitë i kanë çuar lart në Moravë për kullota. Familja Nole është njëra prej tyre.

Edi Nole: Janë gati 35-40 krerë lopë, edhe viçat kemi rreth gati nja 15. Merremi me këtë punë. Është krijuar fermat tonë. Viçet janë për majmëri, janë për majmëri, për mish. Lopët janë në mal, flenë gati tre muaj. Katër muaj në mal. Janë në kullotën verore, këtu në vargmalin e Moravës, vargmal i Moravës.

Agim Pipa: Kemi ndonjë bari atje që mban lopët?

Edi Nole: Po kemi njeriun tonë që kujdeset aty.

Agim Pipa: Ju vetë, përse zgjodhët të merreni me blegtori? Kush e solli i pari idenë familjen tuaj?

Edi Nole: Po, idenë unë me babain e kam sjellë idenë. Nisi me gjashtë krerë, me gjashtë krerë vetëm. E kështu kemi vazhduar, kemi 15-16vite. Me traktor punojmë tokën, mbjellim grurin, mbjellim misrin, jonxhën, i korrim, i lidhim.

Foto nga ferma e familjes Nole

Drenovarët janë popull që e kanë njohur emigrimin qysh në fillimet e shekullit të kaluar dhe shumë prej tyre themeluan në Boston Shoqatën Vatra, themeluar nga Noli dhe Faik Konica. Në Drenovë, dikur burrat punësoheshin në minierën e qymyrgurit të Mborje Drenovës, që sot nuk është më, por ka ende cilësi dhe vlera të këtij fshati.

Miniera e qymyrgurit në Drenovë, foto arkiv

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 08/09/2025 01:44

    U zhgenjeva shume kur zbulova qe himni kombetar ishte vetem perkthim e adaptim himni rumun.Origjinalin e gjeni ne YOUTUBE nese ju duket e pabesueshme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Viti i ri shkollor, sa i sigurt iu duket ambienti për fëmijën tuaj?