Kallmeti është një prej fshatrave më të mëdhenj të Lezhës. Historikisht, këtu jeta zë fill para lindjes së krishtit dhe për këtë dëshmon një varrezë e antikitetit të vonë në një lagje afër qendrës së Kallmetit.
Në një fshat shumë pranë tij, në Mërqi, u mbajt kuvendi i Arbërit më 15 janar 1703, me përkrahjen e Papa Klementit 11 me origjinë arbnore. Aty, bujtësit e kuvendit, o gostitën pjesëmarësit verën e kuqe të Kallmetit, e njohur në atë kohë si një nga verërat më të mira në Europë.
Ky fshat, prej shekujsh, është i njohur gjithashtu, veç verës së ëmbël, për ullinjtë e Kallmetit, për fasulen e Kallmetit dhe, në veçanti, për veshjet e bardha të grave kallmetore të qëndisura me filigranë ari dhe argjendi.
Sot në Kallmet jetojnë rreth 1 mijë banorë, bujq dhe fermerë kryesisht, që e mbajnë jetën me bujqësi dhe blegtori, sidomos me vreshtari dhe ullishta. Në një peizazh krejtësisht të gjelbërt, unë i afrohem malit të Velës, rreth 1100 metra i lartë, nën këmbët e të cilit gjenden dhjetëra shtëpi të vogla, kulla të gurta shumë prej tyre.
Në ullishtat e familjes Brunga
Nga 500 rrënjë ullinj, thotë Paulin Brunga, vitin e kaluar familja ka marrë plot një ton vaj ulliri. Ndërsa nga vreshtat me hardhi pranë ullishtave, nga 30 dynym me rrush autokton kallmet, ata kanë marë mbi 150 kuintal verë. Pasuri e madhe për një familje në fshat, apo jo…
Me Paulinin, udhëtojmë në rrugët e fshatit me shpresë se mund të takojmë ndonjë çoban me dhinë e larme autoktone kallmetore. Është e vështirë, sepse dhitë, në një ditë të mirë vjeshte, janë shpërndarë kodrave nëpër kullota. Por, e gjejmë më vonë zgjidhjen.
Mbi shtëpinë e axha Pjetrit, Paulini thotë se gjendet kulla e vjetër e familjes Brunga. Një kullë e braktisur nga koha, por që pret rivitalizimin e saj dhe kthimin në një bujtinë për të mikpritur turistët.
Në mesditë, rikthehemi në bujtinën Brunga. Surpriza e radhës këtu është një mekanizëm i rrallë, i shpikur nga vëllai i Paulinit, Ylli. Një vetullore rrethore që vihet në lëvizje me ujë, për të rrotulluar pa energji elektrike, por me forcën e vetullores, hellin mbi zjarr, ku piqet fërliku, ose qengji a keci i vendosur në hell.
Vjen pjekja e kulaçit në prush dhe shtrimi i drekës: Një drekë kallmetore, mbushur me aroma të freskëta produktesh bio nga kopshtet, nga vreshta dhe kantina e familjes.
Komente
