Red Bull-i është duke dominuar këtë sezon në Formula 1. Piloti Max Verstappen është në krye të kampionatit pas nëntë garave, duke kryesuar me 229 pikë, 81 pikë më shumë se shoku i skuadrës, Sergio Perez.
Dukshëm dominues këtë sezon, piloti belgo-holandez është në rrugë për t'i fituar të gjitha garat, duke nisur nga ajo e nesërmja në Silverstone, për Çmimin e Madh të Britanisë.
“Si skuadër në dëshirojmë t’i fitojmë të gjitha garat e këtij sezoni. Ky është një objektiv i mundshëm, por jo i lehtë për t’u arritur. Ka ende shumë gara për t’u zhvilluar, ndërkohë që një gabim mund të ndodhë dhe të humbas”, tha fillimisht Max.
Dy herë kampioni i botës ka arritur në kuotën e 42 fitoreve në Formula 1, në një moshë (25 vjeç) që të tjerët nuk e imagjinonin dot një gjë të tillë.
“Jam krenar për këto shifra, pasi nuk e kisha imagjinuar kurrë. Për sa kohë ke fatin me vete si dhe një makinë kompetitive është normale që të arrish këto rezultate me kaq shumë gara”, tha Verstappen.