Në një kohë kur traditat shpesh mund të humbasin ndikim për shkak të globalizimit dhe trendeve moderne 17-vjeçarja nga Rrësheni Emili Dodaj ka vendosur t’i ruaj e promovoj ato duke nisur nga ambienti ku shpenzon më shumë kohë, Gjimnazi Rrëshen. Më intriguese për të është njohja dhe ndërtimi i një lidhjeje më të fortë mes të rinjve dhe rrënjëve të tyre.
“Në këtë projekt, kam treguar për traditën dhe veshjen e nuses mirditore. Kam folur me gjyshërit dhe familjarët për të mësuar më shumë rreth kësaj veshjeje tradicionale, duke kuptuar se çfarë elementesh përfshin dhe çfarë domethënie kanë ato”– u shpreh Emili.
Emili tregon se interesante për të është fakti se në veshjet popullore të Mirditës, një sy i stërvitur mund të dallojë jo vetëm elemente mesjetare, por edhe gjurmë që duket se lidhen me pjesë veshjesh të dokumentuara që në prehistori.
“Një ndër to duket se është përparsja me thekë e kostumit të grave (stravecja), sepse ajo paraqet ngjashmëri të dukshme me përparsen e veshjes së gruas së figurinës neolitike të gjetur në Kliçevaç (Jugosllavi), që i përket mijëvjeçarit të dytë para erës sonë, duke u lidhur me kulturat e lashta ballkanike parailire dhe ilire. Në mbështetje të këtij mendimi vijnë dy fakte: së pari që, në gjenezën e veshjeve përparsja (stravecja) dhe brezi konsiderohen si elementët më të lashtë. Edhe brezi me tufat e veshjes së grave mirditore lidhet gjenetikisht me të njëjtën figurinë neolitike. Për t’u dalluar është dhe dekori i xhupit. Pavarësisht mbishtresëzimeve, xhupi i gruas ruan një larmi simbolikash mitike dhe kultike (pema e jetës, simboli i diellit, rrathë koncentrikë, lotusi mistik etj), çka tregon për hershmërinë e tij, si gjurmë e rëndësishme e kultures iliro-arbërore. Ndër zbukurimet, vathët prej argjendi të grave ngjajnë me gjetjet arkeologjike të Komanit, Buklit dhe Krujës, të shekujve VI-VIII. Element tjetër dallues që e bën të veçantë gruan mirditore është frizura e saj, ku mënyra e rregullimit të flokëve tregon moshë dhe status. Është një stil që sipas studiuesve shqiptarë të etnografisë është imitim i rregullimit të flokëve nga perëndeshat ilire.”– tha ajo.
Ditët e sotme është një hap shumë pozitiv që rinia shqiptare po tenton të promovoj veshjet popullore në projekte të ndryshme. Emili Dodaj është finaliste e edicionit të shtatë të “Pyet Gjyshërit”.
Komente
