Lorenc Perlala, futbollisti i kombëtares u-15 të Shqipërisë, ka hedhur një hap tejet të rëndësishëm në karrierë. 14-vjeçari është prezantuar si ‘yll’ nga skuadra e Feyenoord në Holandë, që bën me dije se ka firmosur për 3 vite me mesfushorin shqiptar.
Fillimisht Perlala do të luajë me kategorinë dhe kampionatin U-16 të Feyenoord, ndërsa konsiderohet si një lojtar me shumë talent. Jo më kot ai u prezantua në të gjithë kanalet e komunikimit nga klubi holandez, ndërsa futbollisti deri më tani ka përfaqësuar një herë fanelën kuqezi. Bëhet fjalë për neshjen Shqipëri-Zvicër me 5 qershor.
Hapat e parë të karrierës Perlala i hodhi te klubi amator FC Trias nga Winterswijk, ndërsa më pas kaloi te De Graafschap, për të cilin do të luante për shtatë sezone. Deri në spikatjen nga Feyenoord.
14-vjeçari ka lindur në Holandë, ndërsa prindërit e tij janë me origjinë nga Kosova. Megjithatë ai ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë, ndërsa edhe në prezantimin e tij bien në sy elementë kombëtar.
Komente
