Më pak se 9 euro shpenzohet për çdo qytetar të Shqipërisë për ta mbrojtur nga zjarret.
Mes temperaturave ekstreme, që vit pas viti po regjistrojnë rritje, buxheti që ndahet për 61 bashkitë me qëllim kryesor ‘mbrojtjen nga zjarret’, mbetet në shifra ende modeste, e larg nevojave reale.
Këtë vit, në total, për të parandaluar e deri për të shuar flakët, buxheti është 21 milionë euro, me rritje prej 5.6 milionë euro krahasuar me vjet.
Dukshëm kaq para nuk mjaftojnë, përsa kohë edhe pse jemi ende pa arritur në mesin e muajt gusht, janë shkrumbuar mbi 40 mijë hektar pyje e kullota sipas të dhënave nga Sistemi Evropian për Zjarret në Pyje.
Ndërsa në 2024-ën, për të gjithë vitin, totali i sipërfaqeve të djegura ishte 46.6 mijë hektar.
“Në kushtet e ndryshimeve klimatike dhe rritjes së rrezikut nga zjarret, siguria e qytetarëve nuk mund të mbështetet në një buxhet minimal. 21 milionë euro për 61 bashki nuk janë investim, por iluzion i sigurisë. Nevojitet një rritje e ndjeshme e fondeve dhe një strategji kombëtare ku pushteti vendor të ketë rol real dhe burime të mjaftueshme. Nëse i ndajmë 21 milionë euro në mënyrë të barabartë për të gjitha bashkitë, rezulton rreth 344 mijë euro për bashki në vit. Kjo shumë është shumë e kufizuar për të mbuluar domosdoshmërinë për pajisje moderne kundër zjarrit (mjete zjarrfikëse, pompa uji, pajisje mbrojtëse për zjarrfikësit etj infrastrukturë. Mjafton ky fakt për të kuptuar sa kapacitete ka sektori për të përballua situata të tilla, që po bëhen pjesë e jetës për çdo stine”, thotë për Report Tv, Instituti për Bashkitë.
Bashkitë me buxhetin më të madh në dispozicion për ‘mbrojtjen nga zjarret’ janë Tirana me 275 mijë euro, Durrësi 94.5 mijë euro, Kukësi me 75.3 mijë euro, më pas është Elbasani me 70 mijë e Shkodra me 67.3 mijë euro.
Por ka bashki të cilat duhet të shuajnë zjarret me vetëm 19 mijë euro në dispozicion siç janë Divjaka, Rrogozhina, Vau i Dejës apo Vora.
Qarku i Vlorës prej javësh është nën flakë në zona të caktuara, siç ende vijojnë zjarret në Finiq (28.6 mijë euro për tu mbrojt nga zjarri), por për të përballuar këtë situatë buxheti që kanë në dispozicion është vetëm 202 mijë euro për 7 bashki pjesë e këtij qarku.
E njëjtë është situata në të gjitha bashkitë, për shembull Gramshi i cili është në situatë të rëndë prej flakëve, ku disa fshatra po evakuohen menjëherë, ka vetëm 24 mijë euro buxhet për t’u mbrojtur nga flakët.
Për t’ju bërë ballë flakëve aktivizohen edhe ‘Emergjencat Civile’, strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila përgjigjet për pasojat nga fenomenet natyrore, përmbytjet, zjarret apo tërmetet.
Janë 55 milionë euro fondet në dispozicion të emergjencave për këtë vit nga 34 milionë euro që ishte vlera vjet.
Pra në total janë 76 milionë euro të dedikuara për mbrojtjen nga zjarret dhe për emergjencat civile këtë vit.
Por mungesa e kapaciteteve për të luftuar me flakët në këtë verë po ‘mbushet’ me helikopterë nga shtete të ndryshme të Evropës apo edhe nga Emiratet Arabe.
Banka Botërore thotë se Shqipëria duhet të investojë 6 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme për të mbrojtur në mënyrë sa më efektive qytetarët dhe pronat nga rreziqet klimatike nga zjarret, përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe tërmetet.
BUXHETI PËR EMERGJENCAT CIVILE
Viti 2024 34 milionë euro
Viti 2025 55 milionë euro
Rritja +21 milionë euro
Komente

Po ja qe si kemi! Por ama kemi dy satelite me pagese qe nuk ja dime,kemi dy TEC-e lundruese te marra me qera qe po perlajne cdo vit nje qira te frikshme per t'a thene ketu,patem dhe Giro d'Italia te ciles i dhame nja 7 milion euro (qe i kishim te teperta e nuk na duheshin)qe te kalonte nga Shqiperia.Krenare,bisht perpjete,por te djegur e te zgjebosur!
PërgjigjuCdo bashki duhet te kete buxhet larte , cdo bashki qe ka mbi 20 mije banore duhet te kete helikopter te stacionuar bashke me paisjet e kerkim Shpetim apo fikje zjarri etj , secila nga bashkite mbi 20 mije banore duhet patjeter por dhe makinat SHOTA te prodhojne disa modele per fikje zjarri nga 2 makina fikje zjarri per cdo bashki , kjo e kthen ne nje vend model
PërgjigjuKy eshte shteti jone. Nuk jane fasadat qe e mbajne shtetin (nuk jam kunder fasadave), por jane sistemet jetike: spitalet, shkollat, policia, ushtria, sherbimi zjarrefiks, ujesjellsat, etj. Fatkeqesisht, qeveria jone nuk arrine dot te bej investime ne te tilla sisteme. Ndoshta mund te jete fakti, qe investimet ne rruge jane me fitimprures sesa ne sistemet jetike.
Përgjigju