Mesazhi nga Kremlini ka ardhur i fortë dhe i qartë: NATO nuk është gati të përballet me luftën e re të dronëve. Nuk ka ende një bilanc zyrtar, por vlerësimet më të besueshme janë të qarta: vetëm katër dronë rusë janë rrëzuar, ndërsa të paktën pesëmbëdhjetë të tjerë kanë rënë pasi u mbaroi karburanti. Njëri madje hyri në territorin e Varshavës për gati treqind kilometra. Rrjeti i vëzhgimit ka funksionuar, falë pranisë së një radari ajror polak dhe atij italian, që mundësuan ndjekjen e shumicës së mjeteve që hynë. Por boshllëku në mbrojtje është më i madh: nuk ka sisteme të sigurta dhe të lira për t’i ndaluar. Dhe ky është një problem që prek gjithë Aleancën Atlantike, e zënë në befasi nga zhvillimi i konfliktit në Ukrainë.
Raketa ajër-ajër që përdori avioni polak F-16 për të shkatërruar një nga dronët kushton një milion euro; raketat gjermane Patriot, të gatshme për të qëlluar, kushtojnë mbi tre milionë, ndërsa dronët rusë “Gerbera” ndërtohen me vetëm 10-15 mijë euro. Por nuk është vetëm çështje kostoje. Armët e NATO-s janë shumë të mëdha – raketa Patriot është mbi pesë metra e gjatë – dhe pas lëshimit bien pjesë të rënda të motorit (booster), që mund të dëmtojnë ose të ndezin shtëpitë, duke rrezikuar civilët që flinin, ndërsa beteja ajrore vazhdoi deri në orën gjashtë të mëngjesit të së mërkurës. “Të përdorësh ato armë është si të gjuash një mizë me top”, ka thënë gjenerali polak Jaros?aw Gromadzi?ski, i dalë në pension vetëm pak muaj më parë dhe shumë kritik ndaj kolegëve të tij.
Komandanti i forcave të armatosura, Wies?aw Kuku?a, ka tentuar të qetësojë publikun përmes një interviste televizive: “U kemi dhënë urdhër pilotëve të rrëzojnë vetëm dronët që mbartin eksploziv”. Ai ka lënë të kuptohet se sensorët e avionëve F-35 holandezë kanë qenë në gjendje të dallojnë modelet e ndryshme të dronëve rusë: “Zbulojnë gjëra që janë të padukshme për radarët tokësorë”. Por kjo version ngre dyshime. Dronët “Gerbera” janë të lirë dhe duken identikë nga jashtë me dronët kamikazë “Shahed-Geran”. Ata ndërtohen me fibra xhami dhe polistiren për të detyruar armikun të shpenzojë raketa të shtrenjta, duke zbuluar pozicionet e baterive antiajrore dhe të radarëve. Vetëm në disa raste mbajnë dy-tre kilogramë eksploziv të fshehur në trup; shumica janë të paarmatosur. Disa prej atyre që ranë të paprekur në tokë kishin një rezervuar shtesë karburanti për të rritur rrezen e veprimit. Të paktën njëri dukej i pajisur me kamerë për zbulim. Të gjithë janë të ngadaltë: udhëtojnë me 100-130 km/h, dhe për t’i shënjestruar avionët supersonikë detyrohen të ngadalësohen, duke bërë manovra të rrezikshme. Për këtë arsye, komandot polake dërguan edhe helikopterë, më të përshtatshëm për shpejtësi të ulëta.
Megjithë paralajmërimet e gjeneralit amerikan Grynkewich, i emëruar dy muaj më parë nga Donald Trump në krye të forcave të NATO-s në Europë, të gjithë drejtuesit aleatë besojnë se Moska kreu një operacion të qëllimshëm: një test për kapacitetin e reagimit në kufirin lindor të Aleancës, i nisur edhe nga territori bjellorus si hyrje në stërvitjen “Zapad” (“Perëndimi”), që kulmon sot me shfaqjen e forcës nga Putini dhe Lukashenko. Sipas “Bild”, objektivi kryesor ishte testimi i mbrojtjes së aeroportit të Rzeszow, qendra kryesore e furnizimeve ushtarake për ushtrinë e Kievit. Ndërsa “Financial Times” shkruan se për Kremlinin rezultatet ishin inkurajuese: vetëm njëzet dronë mjaftuan për të vënë në krizë pozicionet e NATO-s në kufirin më të nxehtë. Rusia prodhon mbi tre mijë dronë Shahed-Geran çdo muaj: nga janari deri dje mbi Ukrainë janë hedhur 35.698.
Qeveritë europiane, me atë të Varshavës në krye, po investojnë qindra miliarda për të blerë armë të sofistikuara – tanke, avionë luftarakë F-35 dhe sisteme raketore Patriot – të cilat megjithatë janë të padobishme kundër dronëve të vegjël dhe të lirë, që prej më shumë se një viti janë bërë protagonistët e konfliktit në Ukrainë, duke shkaktuar mbi 70% të viktimave. Tani ka nisur gara për të gjetur mbrojtje efektive. Ursula von der Leyen ka deklaruar se duhet ndërtuar “një mur dronësh në kufirin lindor”.
Një model u paraqit dje nga Shefi i Shtabit të Forcave Ajrore italiane, gjenerali Antonio Conserva, në një seancë dëgjimore në Montecitorio: përdorimi i dronëve që kapin dronë të tjerë, të komanduar nga inteligjenca artificiale, të cilët – pasi të marrin autorizimin nga komandantët njerëzorë – do të mbrojnë automatikisht infrastrukturat kritike si centralet elektrike dhe bazat ushtarake. Në praktikë, një duel në qiell mes robotëve mbrojtës dhe robotëve sulmues, të dy me kosto të ulët. Kur do të jenë gati? “Jam optimist. Nëse sigurohen fondet, mund ta arrijmë brenda tre vitesh”, përfundoi gjenerali Conserva./ La Repubblica
Komente
