Dhimbje në ceremoninë mortore dje

Vetëm nga një fshat u varrosën dje 17 persona që humbën jetën tragjikisht në Bullgari! Flet kryetari i Komunës

4 Dhjetor 2021, 09:31| Përditesimi: 4 Dhjetor 2021, 09:33

  • Share

Vetëm nga fshati Studeniçani në Maqedoninë e Veriut dje janë varrosur 17 viktima nga aksidenti tragjik i 23 nëntorit në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona.  Trupat mbërritën dje në Aeroportin e Shkupit dhe u kryen ceremonitë mortore në vendibanimet respektive.

Kryetari komunës Studeniçan, Azem Sadiku, ka kërkuar që të zbardhen shkaktarët që çuan në djegien e autobusit, ku humbën jetën 45 qytetarë, trupat e të cilëve janë kthyer sot.

“Është ditë shumë e rëndë për familjarët, për të gjithë vendin, për të gjithë qytetarët e Studeniçanit. Ditë shumë e vështirë. Nga dita që ka ndodhur fatkeqësia, po mundohemi që të jemi pranë familjarëve. Është me rëndësi që këto raste të zbardhen. Shkaktari kryesor i këtij zjarri duhet të zbardhet dhe duhet të ketë përgjegjësi për këtë”, është shprehur ai teksa ka thënë se shumica e trupave që janë varrosur dje janë fëmijë.

Të vendosur në 2 avionë, arkëmortet iu dorëzuan dje familjarëve, të cilët prej 10 ditësh ishin në pritje. Mes viktimave janë edhe 12 fëmijë, ndërsa aksidentit arritën t’i mbijetonin 7 persona.

Aksidenti tragjik u shënua më 23 nëntor, në autostradën “Struma” në afërsi të qytetit Pernik, ku si pasojë  e flakëve humbën jetën 45 shqiptarë nga Maqedonia e Veriut dhe 7 të tjerë u plagosën. Mes viktimave ishin edhe 12 fëmijë. Teksa hetimet vijojnë ende, Prokuroria e Shtetit në Bullgari kanë konfirmuar se aksidenti ka ardhur si pasojë e një shpërthimi, por se nuk dihet ende se çfarë e ka shkaktuar atë. 

Një ditë më parë u publikuan edhe disa detaje të tjera nga ekspertiza e aksidentit, ku thuhej se barrierat anësore të rrugës kishin qenë të dëmtuara nga një aksident i ndodhur më parë dhe se në zonë mungon sinjalistika e duhur rrugore.

Sipas informacioneve fillestare, autobusit i ka plasur goma e përparme djathtas, e më pas është përplasur në parmakë dhe është zvarritur. Në atë moment është derdhur karburanti që lidhet me ngrohjen në autobus, duke shkaktuar edhe zjarrin. Nga aksidenti tragjik mundën të mbijetonin vetëm 7 persona,  2 gra dhe 5 burra.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?