Interi u rikthye të dielën në Milano dhe atmosfera ishte e zymtë për zikaltërit, ndërsa vetëm një tifoz priti finalistët e Champions League në aeroport. Dështimi 5-0 kundër PSG-së nuk lë vend për asgjë tjetër veç zhgënjmit, teksa tifozi që priti klubin e tij të zemrës pranoi se ekipi meriton të paktën një duartrokitje.
Tifozi i quajtur Marco, i tha 'Gazzetta dello Sport': “Unë jam i vetmi idiot këtu, por ata meritojnë të paktën një duartrokitje.”
Një skenë thuajse e boshatisur që pasqyron realitetin e hidhur të një skuadre e cila nga ëndrra për t’u shpallur kampione e Europës për herë të katërt në histori, kaloi në një makth të vërtetë, pas shkatërrimit që pësoi nga PSG në fushën e “Allianz Arena”.
Asnjë fjalë, askush nuk foli, askush nuk ngriti sytë, të gjithë me kokën ulur. Përshëndetja e vetme u bë nga Acerbi në momentin e fundit para se të ngjitej në autobus. Marcus Thuram nuk bëri asnjë gjest. Edhe Inzaghi bëri të njëjtën gjë; eci drejt, me kokën ulur, pa thënë asgjë. Kush e di, ndoshta ato ishin hapat e tij të fundit si trajner i Interit.
Komente
