Në Kroaci e bëjnë të sigurt, Zoran Zekic është emri i përzgjedhur për të drejtuar skuadrën e Osijek. Trajneri aktual i Partizanit shihet si pasardhësi i Sjepan Tomas, që u shkarkua nga drejtuesit për shkak të disa rezultateve negative.
Sipas shumë medieve në Kroaci, Zekic mund të rikthehet në vendlindje pas vetëm tre muajve në drejtimin e Partizanit. Nëse diçka e tillë ndodh, Zekic do rikthehej pas katër vitesh te skuadra që e ka drejtuar nga 2015-2019. Me një karrierë të pasur dhe i shpallur sezonin e fundit si trajneri më i mirë në Kroaci, tanimë është në dorën e presidentit Gaz Demi nëse do të lërë të lirë trajnerin, që ka kontratë me kampionët e Shqipërisë deri në verën e 2024.
49-vjeçari kroat e mori drejtimin e Partizanit në korrikun e këtij viti dhe bëri një paraqitje të mirë në Europë. Tanimë në Superligë, në pesë ndeshje ai shënon dy fitore, dy barazime dhe një humbje.
Duket se në kampin e kuq priten zhvillime të reja sa i takon trajnerit Zekic.