Foto: Leonard Farruku

Ilir Yzeiri: Vetëvrasja e Leonardit u porosit nga ne të gjithë*

12 Shkurt, 17:42| Përditesimi: 12 Shkurt, 17:45

  • Share

Djali që shihni në këtë foto është Leonard Farruku. Më 12 dhjetor të vitit 2023 ai, në rrethana të panjohura, por në gjendje të rëndë psikologjike, vrau veten. Po cili është Leonard Farruku ? Ai është një nga qindra apo mijëra emigrantë shqiptarë që largohen nga vendi në drejtim të Anglisë, kryesisht, duke marrë në sy rreziqe nga më të mëdhatë. Edhe ai, ashtu si shumë të tjerë, në vitin 2022 kishte kaluar kanalin e La Manshit me gomone dhe ishte futur në Britaninë e Madhe.

Qeveria angleze atë dhe disa të tjerë, në pritje të marrjes së një përgjigjeje për lejeqëndrimin, i kishte mbyllur në një anije me emrin Bibby Stockholm në jug të Anglisë. Pas një pritjeje të gjatë, Leonardi ose Nardi siç e thërrisnin të gjithë, vrau veten në ambientet e kësaj anijeje. Kjo ngjarje tronditi opinionin anglez.

Gazeta « The Guardian » nis një gazetar në Tiranë dhe më datë 5 shkurt boton një reportazh të gjatë për këtë ngjarje tragjike. Gjëja e parë që të vjen në mend është kjo : pse gazeta britanike, ndër më të mëdhatë e atij vendi, tronditet nga një ngjarje e tillë dhe dërgon edhe një gazetar në Shqipëri dhe i jep hapësirë të madhe kësaj ngjarjeje edhe gati dy muaj pasi ajo ka ndodhur ?!
Reportazhi është ndërtuar me detaje dhe gazetarja ka shkuar ka parë shtëpinë dhe lagjen ku jetonte, te parafabrikatet pranë shkollës Bajram Curri, ka gjetur e ka intervistuar shokët e Nardit, pastaj ka vajtur në Liceun Artisitk « Jordan Misja dhe ka pyetur mësuesit e tij, ka folur me motrat e tij në Itali dhe ka zbuluar se Nardi ishte një muzikant shumë i talentuar, plot pasione e dëshirë për jetën.

Kishte ardhur nga Vora në Tiranë dhe në gjurmë e të atit, klarinetist i talentuar dhe ai, kishte nisur aventurën e muzikës dhe shumë shpejt ishte bërë një instrumentist i shkëlqyer. Por fatketqësitë e rrëzuan poshtë. Në moshën 13 vjeç i vdes e ëma dhe pas një viti edhe i ati. Këtu jeta e tij merr një goditje. Mbaron Liceun ikën te të motrat në Itali dhe vendos të ringrihet. Kishtë ëndërr të bëhëj muzikant dhe përfundon në Angli. Aty, pikërisht kur ai e kishte arritur një pjesë të ëndrrës, vret veten.

Të gjitha këto na i zbulon gazeta angleze « The Guardian ». Pikërisht këtu mund të nisë edhe reflektimi ynë. Në gjithë këta vite tranzicion ne kemi humbur ndjeshmërinë. Nuk na bën përshtypje vdekja, tragjedia. Nga vëmendja që tregon gazeta angleze për historinë e Nardit ne mësojmë se në Shqipëri ka dy kategori shqiptarësh : ata që ia dalin dhe që e përdorin këtë vend për të realizuar vullnetet e tyre dhe ndërtojnë këtu parajsën e tyre pa pyetur për të tjerët dhe një popull tjetër për të cilët nuk pyet askush. Ky popull përfaqësohet nga Leonard Farruku.

Si ka mundësi që në opinion tonë publik nuk ndjehet nevoja që të merremi edhe me këtë kategori shqiptarësh, që për të realizuar një ëndërr apo thjesht edhe pa e vrarë mendjen gjatë, ikin nga ky vend dhe largohen jo me pasaportë, por me gomone si në vitet ’90 apo si pas viteve 1997. Dua t’ju pyes ju, teleshikuesit e mi, : a keni parë ndonjë reportazh të mediave tona për shqiptarët që jetojnë në kampet angleze apo në qendrat e pritjes në Gjermani. Po ambasadat tona në këto vende, a shkojnë në këto kampe, a marrin kontakte me këta shqiptarë në Angli, Francë apo Gjermani, pra a marrin mundimin që t’i njohin ata, të bisedojnë me ta, të kuptojnë se sa janë, përse kanë ikur dhe në ç’kushte jetojnë. Anglezët tronditen me fatin e Leonard Farrukut dhe, edhe pse kanë kaluar dy muaj nga ajo ngjarje, realizojnë një reportazh të gjatë për Nardin, ndërsa ne, mediat tona, opinioni publik jemi mpirë me narrativat banale të politikës dhe shfaqjeve po ashtu banale të telenovelave apo të realitishoëve.

Pyetja që duhet t’i shtrojmë vetes ne të gjithë por edhe ata që zgjedhim për të na qeverisur është kjo : pse po e bëjmë të pajetueshëm këtë vend për të rinj si Leonard Farruku. Përse Leonard Farruku, por edhe ata që simbolizon ai, pasi mbaron një shkollë dhe i talentuar si muzikant nuk e realizon dot ëndrrën e tij këtu, por vendosë të ikë. A e kemi pyetur ndonjëherë veten se përse ua kemi vrarë ëndrrat këtyre të rinjve. Ne vijmë nga një traditë moniste, nga një shoqëri e mbyllur dhe hapja, liria për të lëvizur na duket sikur është edhe mundësia e artë për të realizuar ëndrrat. Mund të jetë edhe kështu. Por nuk ka vend europian që e bën atdheun e tij të tillë që, në një masë të madhe, t’i nxisë të rinjtë e tij të largohen.

Siç dihet një nga sfidat e njeriut është ëndrra dhe e ardhmja. Shoqëria jonë nuk po arrin që t’i bëjë fënijët tanë të ëndërrojnë dhe të shohin të ardhmen. Po ndërtojmë një vend ku lakmia dhe pasurimi me çdo kusht janë shpallur si motivi i jetës. Në këtë garë të ethshme ata që janë njerëz normalë largohen dhe i hapin rrugë atyre që të marrin përpara e të fshijnë me egon dhe luftën për t’u pasuruar me çdo kush e me çdo çmim.

A e keni pyetur veten ndonjëherë ju të dashurit teleshikuesit e mi : ku do të shkojë fëmija ynë pas shkollëës. Ku është fusha e sportit e lagjes, ku janë fushat e sportit, sallat e teatrove apo ambientet kolektive ku dikur mblidheshin fëmijët dhe argëtoheshin apo mësonin veglat muzikore, ku janë konkurset e matematikës, të dramës, të fizikës, olimpiadat sportive dhe ato pedagogjike. Për fat të keq ne po vijojmë të ndërtojëm Shqipërinë për gjysmën e popullit dhe gjysmën tjetër e kemi shpallur të panevojshme : e kemi lënë të vetëqeveriset dhe të shfrytëzoje lirinë për të emigruar. Ndaj edhe historia e Nardit nuk na trondit më sepse ai është pjesë e atyre shqiptarëve apo e atij populli që ne e kemi lënë të lirë … deri edhe të vetëvritet.

Koment i ADN*

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?