Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkon prokurorin e Dibrës, Urim Buci.
Urim Buci u konfirmua me shumicë votash më 27 prill 2023, por vendimi u ankimua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit mbi bazën e një rekomandimi të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Sipas komisioneres deklarimet kontradiktore lidhur me vlerën e investuar për pasurinë dhe burimet e përdorura, çojnë në pamundësi të kontrollit dhe verifikimit të saktë të burimit, kohës dhe vlerës së krijimit të kësaj pasurie”
KPA e cilësoi të gabuar aplikimin e parimeve të objektivitetit dhe proporcionalitetit për bilancet negative në vlerën prej rreth 7.5 milionë lekësh për ndërtimin e banesës dhe të shumës 464 mijë lekë për vitin 2016.
Trupi gjykues, pasi mori në shqyrtim pretendimin e Komisioneres lidhur me konfliktin e interesit e gjeti atë të drejtë. Po ashtu, janë gjetur të drejta edhe shkaqet për mangësi në njohuritë ligjore, por në përfundim këto janë çmuar se nuk kanë peshë përcaktuese në marrjen e vendimit.
Në përfundim, trupi gjykues çmon se ankimi është i drejtë dhe vendimi i KPK-së duhet ndryshuar, duke vendosur në mënyrë unanime shkarkimin nga detyra të prokurorit Buci.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 25/2023, datë 20.06.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 651, datë 27.04.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Urim Buci.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
– Ndryshimin e vendimit nr. 651, datë 27.04.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Urim Buci.
– Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.