Prokurori Arben Dyla

Kronikë

Vetingu rinis me prokurorin që rrëzoi Dik Martin për trafik organesh në Burrel, s’ka datë për Dritan Ginën që po shtyn ditët me manovra

28 Gusht 2021, 15:16| Përditesimi: 28 Gusht 2021, 15:19

  • Share

Pas pushimeve të gushtit, Komisioni i Vetingut (shkalla e parë) do të rinisë në 7 shtator verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësisë profesionale. Të martën e 7 shtatorit do të paraqitet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit kryeprokurori i Lushnjes Arben Dyla për t’u njohur me rezultatet e verifikimit 20-mujor. Dyla ishte ftuar në seancë dëgjimore në 21 korrik 2021, por seanca u shty pasi prokurori paraqiti një raport për pamundësi shëndetësore, ndërsa avokatja e tij, Antoneta Sevdari ishte e angazhuar në seanca të tjera. Arben Dyla e ka nisur karrierën si prokuror 20 vite më parë në Mat. Në vitin 2004, Arben Dyla, në atë kohë kryeprokuror në Mat, ka shoqëruar ekspertët e Gjykatës së Hagës për të hetuar mbi mitin e “Shtëpisë së Verdhë” në Burrel.

Dyla ka marrë pjesë në hetim duke hedhur poshtë pretendimet e raportit të Dik Martit për trafik organesh nga UÇK, në kullën e Mersin Katuçit. Në 7 shator është përcaktuar edhe zhvillimi i seancës dëgjimore me gjyqtaren e Fierit, Adelina Zarka, e cila nuk është përfolur për vendime të diskutueshme. Në tetë shtator 2021, është caktuar zhvillimi i seancës dëgjimore me gjyqtarin e Tiranës, Kace Agolli. Komisioni i Vetingut nuk ka caktuar ende një datë për zhvillimin e seancës dëgjimore me prokurorin Dritan Gina, i cili në korrik arriti që të shtynte njohjen me dosjen e tij, përmes një raporti sikur ishte sëmurë dhe më pas përmes disa manovrave me kërkesa për përjashtimin e anëtarëve të trupit gjykues.

Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i mbaron mandati në vitin 2022. Deri në korrik të këtij viti, nga 800 gjyqtarë dhe prokurorë, janë verifikuar më pak se gjysma, ndërsa rreth 70 subjekte kanë dhënë dorëheqjen nga frika e përballjes me Vetingun. Janë shkarkuar rreth 150 gjyqtarë dhe prokurorë për pasuri të pajustifikuara, lidhje me krimin dhe për mbyllje dosjesh, ndërsa janë konfirmuar në detyrë 130 gjyqtarë dhe prokurorë. Për të shtyrë mandatin e KPK-së përtej vitit 2022 duhet konsensus politik për të ndryshuar Kushtetutën, ndryshe verifikimi kalon në kompetencë KLGJ dhe KLP-së.

Komento

Komente

  • lushnjari: 28/08/2021 19:07

    Besoj se Beni e meriton se eshte njeri i mire dhe pa perlym me asnji vend, biles ne lushnje e njofim mire

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?