Lulzim Basha dhe Ilir Meta

Politikë

Vetingu sipas PD-së rrëzon shtetin dhe krerët e politikës shqiptare, ndëshkohet kushdo që ka pasur kontakte me Ilir Metën

25 Tetor 2021, 16:01| Përditesimi: 25 Tetor 2021, 16:42

  • Share

TIRANË- Miratimi dhe zbatimi i amendamenteve të Lulzim Bashës dhe rrethit të tij, për Vetingun në politikë, sipas përmbajtjes së propozuar, do të rrëzonte të gjithë kupolën e shtetit shqiptar dhe Parlamentin, bashkë me krerët e politikës. Është pika 3 e nenit 5 të nismës së Lulzim Bashës, ajo e cila, nëse do të zbatohet, ‘hedh në erë’ shtetin dhe klasën politike shqiptare. Kjo pikë parashikon si kontakt të papërshtatshëm çdo kontakt fizik ose jo të politikanëve, jo vetëm me personat e dënuar si të përfshirë në krim të organizuar, por edhe kontaktet me ata që janë proceduar për krim të organizuar dhe korrupsion, ndonëse janë shpallur të pafajshëm për prova të pamjaftueshme.    

“Personi konsiderohet i përfshirë në krimin e organizuar edhe kur: a) procedimi penal i filluar ndaj personit pushohet nga organi procedues për shkak të pamjaftueshmërisë së provave, të vdekjes së personit, apo se personi nuk mund të merret si i pandehur dhe nuk mund të dënohet; b) personi deklarohet i pafajshëm penalisht për shkak të pamjaftueshmërisë së provave, apo se vepra penale është kryer nga një person, që nuk mund të akuzohet ose dënohet”, thuhet në pjesën e fundit të pikës 3 të nenit 5 të nismës ligjore të PD-së, nen i cili shton një nen të ri në Kushtetutë, 176/1.

Po për çfarë vepre penale duhet të jetë dënuar ose proceduar një person, kontakti me të cilin ndëshkon politikanin apo funksionarin e lartë? 

Janë të gjitha veprat penale të parashikuara në ligjin anti-mafia, i ndryshuar në vitin 2014, ku u shtua edhe korrupsioni. Konkretisht përfshihen veprat penale; si pjesëmarrje në organizata kriminale ose në grupe të strukturuara kriminale, sipas parashikimeve të neneve 333 dhe 333/a të Kodit Penal, pjesëmarrje në organizata terroriste ose në banda të armatosura, zhdukja me forcë, shtrëngimi për dhënie pasurie, trafikimi njerëzve, prostitucioni, trafikimi i armëve dhe municioneve, trafikimi i lëndëve plasëse, kultivimi, prodhimi, shitja dhe trafikimi i narkotikëve, pastrimi i parave të krimit dhe prostitucionit si dhe vepra penale e korrupsionit të të gjitha llojeve. 

Subjektet mbi të cilat vepron Vetingu sipas propozimit të PD-së janë deputetë, kryeministri, presidenti, ministrat, kryetarët e bashkive, kreu i SHISH, guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe kreu i KLSH. Gjithashtu, përfshihen edhe familjarët si dhe të njohurit e zyrtarëve në fjalë. 

Çdo funksionarë i lartpërmendur duhet të dorëzojë mandatin dhe të largohet nëse ka pasur kontakte me një person që ka kryer një nga veprat penale të parashikuara në ligjin anti-mafia, apo që është proceduar për kryerjen e një vepre të tillë, por që është shpallur i pafajshëm për mungesë provash të mjaftueshme. 

Në 16 janar të vitit 2012, Gjykata e Lartë shpalli të pafajshëm Ilir Metën, sot President, i cili akuzohej nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal. Prokuroria kërkon dy vite burg. 

Meta u shpall i pafajshëm, pasi sipas gjykatës, nga provat e shqyrtuara nga vërtetohej fajësia. “Ndërsa me motivin “fakti nuk vërtetohet që ekziston” kuptohet që jemi në kushtet kur me provat e shqyrtuara nuk vërtetohet ekzistenca e faktit në kuptim të veprës penale”, thuhet në vendim. 

Neni 245 i Kodit Penal është pjesë e ligjit anti-mafia, mbi të cilin bazohet Vetingu sipas propozimit të Partisë Demokratike, për kategoritë që do të konsiderohen si njerëz të krimit të organizuar. 

Edhe pse Meta u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Lartë, ai është subjekt i nismës së PD-së, në mënyrë të dyfishtë. Është subjekt verifikimi si President për pasurinë dhe kontakte për personat të përfshirë në krim të organizuar, por është subjekt edhe si person i botës së krimit të organizuar, për kontakte me deputetët dhe krerët e shtetit. 

Sipas nismës ligjore të PD-së, kushto që ka pasur kontakte me presidentin Ilir Meta pas vitit 2011, duke nisur që nga vetë Lulzim Basha, duhet të dorëzojë mandatin e deputetit apo të largohet nga funksioni i lartë publik.

 

 

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Meti: 26/10/2021 05:25

    Uaaaaa sa bulur paska shkruar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?