Prifti katolik Gabriel Romanelli nuk e ka braktisur Gazën. Dje u plagos në këmbë gjatë sulmit të gabuar mbi kishën katolike Familja e Shenjtë. Nga Izraeli. Tre të tjerë mbetën të vrarë gjatë të njëjtit bombardim. Numër i vogël në krahasim me shifrat katastrofike që përcillen përditë.
Fondacioni italian “L’isola che non c’e’” ka marrë nismën për të propozuar “Fëmijët e Gazës” për çmimin Nobel për Paqen dhe me këtë rast pata mundësinë të dëgjoja një mesazh video të Padre Romanellit: Një prift në Gaza mes 500 refugjatësh në kompaundin e Kishës që jeton të përditshmen mes rrezikut në oratoriumin që mëson, kujdeset e madje dhe u jep diploma fëmijëve palestinezë. Ky oaz paqeje dhe besimi u bombardua, por siç kuptohej dhe nga mesazhi i priftit katolik, nuk paska bomba që e zbehin dëshirën dhe shpresën njerëzore për arritjen e paqes.
Të shkruash nga një tavolinë pune komode në vend pa luftë është e pakuptimtë, por trishtimi i vetmisë së një prifti të plagosur që ka vendosur të punojë atje ku ndodh tmerri, e kapërcen disi qesharaken e një bote bardhë e zi, ku disa janë në ferr e të tjerë në Parajsë në të njëjtën ditë.
Kush është në ferrin e bombave krijon oaze paqeje në mendjen e tij dhe kush ndodhet nën freskinë e palmave apo në shijen e një Aperol Spritz, shpik luftëra me urrejtje e armatoset. I urojmë shërim të shpejtë Padre Romanellit i cili jeton e punon në Gaza dhe shpresojmë që ëndrra e madhe e këtij prifti katolik të vetmuar për paqe, të mundë ëndrrat e atyre që e mbajnë gjallë këtë konflikt.
Komente
