Në Korçë u regjistrua rasti i dytë brenda pak ditësh, i vdekjes së një të moshuari të braktisur nga familja. Niko Kita, me të njëjtin fat si Petro Seferi pak ditë më parë, u gjet në banesë disa ditë pas vdekjes. Për sociologun Kostika Zdruli, këto ngjarje janë pasoja të emigracionit dhe braktisjes nga familja, shoqëria e shteti.
***
I braktisur nga familja, 70-vjeçari Niko Kita i mbylli sytë përgjithmonë brenda 4 mureve të shtëpisë ku jetonte i vetëm.
Edhe pse vuante nga probleme të shëndetit mendor, i moshuari nuk kishte askënd. Trupi i tij qëndroi për disa ditë i pajetë në lagjen nr.10 në qytetin e Korçës.
Një histori e ngjashme me të Petro Seferit, i cili u gjet pothuaj i dekompozuar me muaj të tërë pasi vdiq i vetmuar. Dy jetë të humbura me një emërues të përbashkët: Vetminë e braktisjen..
"Kur dëgjojmë raste të tilla nuk na vjen aspak mirë dhe keqardhja është pak që të thuhet. Shoqëria apo dhe strukturat shtetërore nuk i përballojnë dot dhe nuk janë në gjendje që t'i menaxhojnë me kapacitetet e tyre", thotë punonjësi social Kostika Zdruli.
Punonjësi social Kostika Zdruli i lidh ngjarje të tilla me emigracionin e brezave të rinj, braktisjen dhe mungesën e një mbështetjeje të mjaftueshme institucionale.
"Pjesa më e madhe e tyre janë të vetmuar për arsye të ndryshme; mund të jenë beqarë, të divorcuar, raste që nuk kanë pasur fëmijë, raste që fëmijët ju kanë vdekur, kemi raste që janë të braktisur, pjesa tjetër janë në emigracion. Fëmijët kanë dashur që t'i marrin me vete, por ka edhe raste që të moshuarit e kanë që të kthehen në qytetin e tyre, pra nuk kanë dashur të jetojnë jashtë shtetit".
Në qarkun e Korçës, aplikimet për akomodim në shtëpinë e të moshuarve shtohen dita-ditës. Shumë prej tyre bëhen nga fëmijë që jetojnë jashtë dhe nuk kanë mundësi të kujdesen për prindërit e tyre.
Kapaciteti i kësaj shtëpie është vetëm 31 persona, një shifër tepër e vogël përballë numrit të madh të të moshuarve që përballen çdo ditë me vetminë.
Këto raste janë një sinjal i fortë për institucionet, të cilat duhet të marrin më shumë përgjegjësi për identifikimin dhe ndihmën ndaj të moshuarve në nevojë.
Komente

Investime energjitike ne qarkun Korce i jep zhvillim dhe jetese te rinjve, duhet investim ne ferma oelike te mullinjve te eres, duhet edhe energjia gjeotermale tek liqeni nentoksor neuron kjo e kthen Korcen ne super vend ku punohet dhe jetohet nga investime ne energjitike
Përgjigju