Vetoja bullgare, KE për Report Tv: Po dëmtohet besueshmëria e BE! Do të punojmë fort me Presidencën franceze, të hapim sa më parë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

5 Janar 2022, 09:23| Përditesimi: 5 Janar 2022, 10:36

  • Share

Një veto e Bullgarisë për shkak të probleme të Maqedoninë e Veriut po mban peng prej muajsh hapjen e negociatave me këtë vend por edhe me Shqipërinë, duke qenë se BE ka synim që të mos i ndajë 2 vendet nga njëra-tjetrën. 'Vetoja bullgare po dëmton rëndë besueshmërinë e vetë unionit'. Qëndrimin e fortë e ka mbajtur ekskluzivisht për Report Tv zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero.

Ajo nënvizon se si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit dhe data e Konferencave Ndërqeveritare duhet të përcaktohet sa më parë.

"Është thelbësore që vendet anëtare të BE-së të përfundojnë diskutimet mbi Kornizat Negociuese pa vonesa të mëtejshme dhe që konferencat e para ndërqeveritare me të dyja vendet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur. Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit.

Komisioni do të mbetet në kontakt me të gjitha palët përkatëse dhe do të punojë me Presidencën e ardhshme franceze për të arritur qëllimin tonë të përbashkët për fillimin zyrtarisht të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Siç e kemi thënë gjatë gjithë kohës, vonesat në nisjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po ndikojnë negativisht në besueshmërinë e BE-së. Çështjet dypalëshe në pritje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të zgjidhen si çështje prioritare dhe nuk duhet të pengojnë procesin e zgjerimit. Ne vazhdojmë të inkurajojmë të dyja palët që të arrijnë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht për çështjet dypalëshe në pritje", ka thënë Pisonero për Report Tv.

Qershorin e kaluar ministrat e jashtëm të vendeve të BE nuk vendosën dot një datë se kur do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pengesë këtë herë u bë Maqedonia e Veriut pas vetos që i vendosi Bullgaria. Ndryshe nga konferencat e mëparshme, Shqipëria brenda dy viteve të fundit arriti të mposhte skepticizmin e disa vendeve anëtare të cilët konsideronin se Shqipëria nuk përmbushte kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit, por kësaj here ajo ishte kurban i probleme të Maqedonisë së Veriut. 

Po pse Bullgaria po pengon Maqedoninë e Veriut? Qeveria bullgare ishte kundër konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, për të vazhduar negociatat me qeverinë e këtij vendi. Bullgaria kërkon nga Maqedonia e Veriut të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë e saj. Madje u dëgjua edhe kërkesa për njohjen e gjuhës së vendit jo si maqedonishte, por si dialekt i bullgarishtes.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?