Ka shumë mënyra për ta analizuar krizën e tanishme politike në Kosovë lidhur me formimin e institucioneve qeverisëse pas zgjedhjeve që janë mbajtur tashmë para më shumë se tre muajsh. Njëra formë është ajo që tradicionalisht merret me personalitete, inate e teori të konspiracionit-pse ky lider sillet kështu, kush kë e ofendoi më shumë dhe kur e bëri këtë dhe çfarë sekreti fshihet prapa sjelljes së kësaj apo asaj partie?
Ka gjithsesi ushqim të mjaftueshëm për kësi lloj interpretimi. Po: ka inate, ka edhe ofendime, ka edhe duar të fshehura konspirative të interesave komerciale e të tjera që përfshihen në politikëbërje. Dhe s’do mend se kjo ndodh në Kosovë e në çdo vend tjetër të botës: kur në Kosovë flitet për ndikimin e oligarkive në politikë apo për politikën që po përpiqet të kufizojë interesat e biznesit apo edhe të medieve (që akuzohen se janë të kontrolluara prej oligarkive) një ligjërim i këtillë ka mundur të kopjohet drejtpërsëdrejti prej demokracisë amerikane dhe akuzave e kundërakuzave të ngjashme. Ka mundur të kopjohet edhe prej ligjërimit të demokracive italiane, gjeorgjiane apo indiane. Politika nuk ka imunitet prej shoqërisë, është pjesë e saj.
Por, ekziston edhe një interpretim tjetër që ia vlen të shtjellohet, e ai është përpjekja për gjetjen e një qendre politike. Me një këso qasje, ditët që po përjetohen në Kosovë janë krizë për gjetjen e një qendre politike që do të jetë mjaftueshëm e fortë për ta shpënë vendin përpara, posaçërisht në epokën e pasigurisë që po e pëson bota që nga lufta ruse kundër Ukrainës dhe të fundit të Paqes amerikane.
Në këso interpretimi partitë politike, me shpërndarjen e votave ashtu si menduan votuesit e Kosovës pas revolucionit zgjedhor të para katër vjetëve me të cilin i dhanë mandat revolucionar një force politike, tash po e çajnë hallin se si të ndërtojnë një qendër të re politike në situatën ku nuk ekziston një mandat revolucionar.
Nëse është kështu- me gjithë veçantitë e diskriminimit pozitiv të komuniteteve joshumicë me vendet e ndara në Kuvend - atëbotë Kosova nuk dallon shumë prej vendeve të tjera evropiane. Belgjika, Holanda e Austria - vende me traditë të rrënjosur demokratike - brenda dy vjetëve të fundit shpenzuan muaj të tërë për të ndërtuar një pushtet të qendrës.
Kjo është kostoja e një procesi këmbëngulës dhe frytdhënës evropian të pasluftës së Dytë Botërore, pjesë e Paqes amerikane. Në të, pak me mjete publike e pak edhe me veprime të fshehta u ndërtua një traditë politike me të cilën u bë përpjekja që votuesi të largohet nga skajshmëritë e fashizmit dhe komunizmit e të kalojë sa më afër qendrës. Kështu u lind tradita kristian-demokrate e qendrës së djathtë dhe u forcua ajo socialdemokrate e qendrës së majtë. Dhe, që të gjitha lëvizjet e ndryshme u ftuan që të marrin pjesë në këtë ndarje, me nuancat e ndryshme të së djathtës e të majtës në mënyrë që pas zgjedhjeve të krijojnë qendrën.
Dhe, kjo traditë mund të quhet e gjallë me bisedat për koalicione e me koalicione të votuara, si ai dje në Gjermani, e nëse i shërben si ndonjë ngushëllim Kosovës, qytetarët e saj mund të arsyetohen se partitë e tyre po bëjnë saktësisht atë që bëjnë evropianët tradicionalisht, të kërkuarit e qendrës politike që do të jetë stabiliteti i pushtetit për periudhën e ardhshme.
Problemi i këtij ngushëllimi është se qendra politike në botën perëndimore ka ndryshuar dhe po ndryshon për aq sa ajo më nuk ekziston siç u mësuam tradicionalisht.
Në dhjetor të vitit të kaluar në Washington një mik republikan që ishte tradicional e që tash bën pjesë në kampin e presidentit Trump pranoi vërejtjen time se ardhja e presidentit Trump në mandatin e tij të dytë ishte konfirmim se në Amerikë më nuk ekziston e djathta tradicionale e rrjedhimisht as e majta demokrate nuk mund të qëndrojë në formën e vet tradicionale. Presidenti është duke riinterpretuar jo vetëm spektrin politik por edhe natyrën e demokracisë amerikane.
Shumë më herët një fenomen i këtillë kishte ndodhur në Itali ku nga skena politike ishin zhdukur kristian-demokratët dhe socialistët, e djathta dhe e majta tradicionale. Në vend të tyre, qendra e sotme politike italiane përfaqësohet nga një forcë politike që deri dje konsiderohej si e djathtë e skajshme, e quajtur “neofashiste” madje, e prirë nga kryeministrja Meloni.
Modeli italian u replikua në një masë në Francë me zbehjen e forcave politike tradicionale dhe sot lufta për qendrën politike nuk është mes të majtës e djathtës, por mes presidentit centrist Macron dhe të djathtës së skajshme me Marie Le Pen; një president pa shumicë, një parlament pa qartësi, një republikë që e ndien se po i skadon energjia politike.
Dhe qendra gjermane, përkundër forcës së koalicionit të partive tradicionale CDU/CSU me SPD, është nën presion të madh nga forca e cila është tashmë e parë politike, AfD e ekstremit të djathtë, e shpallur si rrezik për sigurinë kombëtare nga shërbimi sekret gjerman BND.
Ky është tashmë realitet edhe në periferinë evropiane, siç u dëshmua me votën presidenciale rumune, ku votuesit po tregojnë se do të hedhin jashtë loje partitë tradicionale të vetëquajtura të majta e të djathta. Votuesi rumun gjithnjë e më shumë parapëlqen mesazhin nacionalist, të zhveshur prej nocioneve ideologjike tradicionale të së majtës e të djathtës, dhe të zhveshur po ashtu prej nocioneve të përgjegjësisë e solidaritetit evropian.
MAGA - lëvizja amerikane e Trumpit, po klonohet në Hungari, Rumani e Sllovaki, vende të NATO-s që tash po kërcënohen të shndërrohen në vende me antipati të dukshme për çdo gjë që u konsiderua “modë” liberale (përkrahje e refugjatëve, të drejtave homoseksuale, etj.) dhe me simpati për Rusinë e Putinit.
Ky është përcaktimi i ri i nocionit “Qendër politike” në një pjesë të konsiderueshme të Evropës.
Ngushëllimi kosovar mund të jetë që përpjekja për të gjetur qendrën politike nuk është shumë e ngjashme me atë të pjesës tjetër të Evropës, së paku jo asaj tradicionale. Pra, jo, problemi nuk është ideologjik i ndonjë konfrontimi mes të majtës tradicionale dhe të djathtës tradicionale - për faktin e thjeshtë se në Kosovë ende nuk ka të majtë e të djathtë tradicionale. Ende nuk ka përvojë të mjaftueshme që do të meritonte emrin traditë.
Por, ky nuk është ndonjë ngushëllim i qëndrueshëm. Evropa e qendrës tradicionale pothuajse nuk ekziston më dhe kemi hyrë në epokën ku po përcaktohet se çka do të jetë qendra. Dhe, kjo është një epokë pasigurie në të cilën po ndërtohet një konstatim logjik: Evropa ka hyrë në procesin e kërkimit të qendrës së vet të re dhe ky do të jetë proces i gjatë historik që ka filluar tani por Kosova nuk e ka luksin që ta vëzhgojë këtë proces pasigurie duke mos e pasur qendrën e vet të konsoliduar.
Vendimin për këtë - me koalicion të ri tash a pas zgjedhjeve të reja imediate -partitë dhe votuesit e tyre duhet ta marrin shpejt./Koha
Komente
