Veton Surroi: Kremtja e të paftuarit

12 Qershor, 08:35| Përditesimi: 12 Qershor, 08:47

  • Share

Ka kohë që nuk marr ftesa për përvjetorë të rëndësishëm në Kosovë.

E kuptoj si një akt mekanik: nuk je në listë, nuk ke hyrë në listë, dikush dikur ka vendosur të mos jesh në listë, apo nuk i ka rënë në mend të të fusin në listë dhe ende nuk është marrë ndonjë vendim tjetër, politik a mekanik për të të futur në listë.

Ndoshta është lënë anash tërë aktiviteti im si person publik, në medie, shoqëri civile, në rolin e njërit prej prijësve në rezistencë paqësore. Për hartuesit e listave të ftesave ky aktivitet mund të mos mjaftojë si arsye e mjaftueshme; nuk mund të përzihem në kriteret politike të qeverive që kanë shkuar e ardhur dhe që sajojnë sistemin e tyre të vlerave.

Por, asnjë protokoll shtetëror nuk mund të mos merrte parasysh dy kontribute institucionale që janë të ndërtuara në themelet e këtij shteti. Një, jam njëri prej katër nënshkruesve të Marrëveshjes së Rambouillet, kontratës së parë mes Kosovës dhe Perëndimit që solli çlirimin e Kosovës dhe hapjen e rrugës së saj për pavarësi. Dy, jam njëri prej anëtarëve të Grupit të Unitetit që negocioi pavarësinë e vendit në procesin Ahtisaari, me përgjegjësi të veçantë për të drejtat e komuniteteve joshumicë që sot quhet modeli më i përparuar evropian për mbrojtje të pakicave dhe është pjesë e rëndësishme e Kushtetutës sonë.

Nuk u shpjegova miqve të mi në Kroaci për këtë gjë. Nuk do të fliste mirë për shtetin tim, e aty nuk kisha ardhur për t’u ankuar për shtetin tim, por përkundrazi, për të folur me bashkëbiseduesit e me prani fizike edhe për t’u falënderuar për rolin e madh që i dha Kroacia përpjekjes së Kosovës për liri e pavarësi.

Stipe Mesiqin e kisha takuar së pari më 1990 dhe është po i njëjti çdo herë, me sy të buzëqeshur me kujtesë të mprehtë dhe sens të shëndoshë të humorit: “Merre me mend si ishin punët atëherë kur me mua në burg ishin pesë shqiptarë, dy të dënuar për nacionalizëm kroat e tre për nacionalizëm shqiptar”.

Në momentet kritike, qeveria e kryeministrit Mesiq na u gjet për çdo gjë mes tjerash edhe për nja njëqind prej nesh, aktivistëve të lëvizjes kosovare që na u dhanë pasaportat jugosllave të lëshuara në Kroaci me të cilat, pastaj kur u vendosën sanksionet ndaj “RFJ” , mund të udhëtonim me regjimin pa viza.

Në një moment Simon dhe Mikel Kuzhnini e thërrasin urgjentisht Mesiqin t’u shkojë në shtëpi.

“Shkova te ta, dija që ishte e rëndësishme dhe kur shkova te shtëpia e tyre e madhe pashë që komplet Qeveria e Kosovës e J.Zenjullahut kishte ikur nga andej dhe ishte strehuar te Kuzhnjinët. Menjëherë u organizuam, u dhamë një vendbanim në Samobor, me mbrojtje të armatosur, me kuzhinierë e kujdestarë për pastrim. Por, ja pak më pas Sabori më zgjodhi për anëtar të Kryesisë së RSFJ dhe posa shkova në Beograd, u ula afër Borisav Joviqit, anëtar nga Serbia dhe e pyeta:

-Ore Boro, a di ku mund të jetë kjo Qeveri e Kosovës, meqë nuk është më në Kosovë?

-Nga burimet tona konfidenciale dimë saktësisht se gjenden në Zvicër.”

Miqtë kroatë përmendin shpesh se në luftën për pavarësi të Kroacisë nuk ka pasur ndonjë shqiptar që ka luftuar kundër Kroacisë, ndonëse atëbotë aty ka qenë një prani e madhe e APJ-së (dhe llogaritej se 20 për qind e rekrutëve janë shqiptarë) nga lufta e Kroacisë për pavarësi dolën katër gjeneralë shqiptarë. E njëra prej arsyeve pse nuk mbeti asnjë shqiptar në APJ në zallamahinë e fillimit të luftës në Kroaci, ishte për shkak të një operacioni të përbashkët mes “Alternativës” dhe pushtetit kroat. Profesori Fehmi Agani dhe unë erdhëm në Zagreb dhe u dakorduam me ministrin e Brendshëm, Josip Manoliq, deri në hollësi të fundit për një operacion dezertimi masovik të shqiptarëve nga kazermat e APJ-së. Natën e caktuar, me thirrjen e Ibrahim Rugovës nëpërmjet të emisionit në gjuhë shqipe të Radio Zagrebit, të gjithë rekrutët shqiptarë do iknin nga kazermat, do të lajmëroheshin te stacionet policore. Aty do të merrnin rroba civile, pasaporta jugosllave (të lëshuara nga MPB e Kroacisë) dhe transport deri te kufiri më i afërm.

Manoliq vdiq para disa muajsh në moshën 104-vjeçare dhe deri vonë barsoleta që qarkullonte nëpër qytet dhe kishte mbërritur edhe te presidenti Mesiq ishte se Josip Manoliq nuk kishte festuar deri vonë Pashkët. Arsyeja: Jezu Krishti ishte ende gjallë.

Budimir Lonçar është katër vjet më i ri se Manoliqi dhe ka mendje të mprehtë, ashtu siç e kam parë për herë të fundit, nja disa muaj para çlirimit të Kosovës, në New York. Diplomat karriere dhe ministri i fundit i Jashtëm i Jugosllavisë, u vu në shërbim të përpjekjes së Kroacisë për pavarësi dhe u ftua nga presidenti Tugjman që t’i ndihmojë vendit me përvojën dhe kontaktet e tij.

Nga lartësitë e shikimit të njëqindvjeçarit ai sheh një botë të ndërlikuar që do të bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. Në këtë botë të ndërlikuar Amerika do të kalojë një krizë (të përshpejtuar nëse zgjidhet president Donald Trump), BE-ja do të kalojë nëpër krizë nëse nga votimi me të drejtë vetoje nuk kalon në votim të kualifikuar dhe Ballkani Perëndimor do të kalojë nëpër krizat e veta nëse nuk pranohet si tërësi në BE.

Si t’i bëhet, atëherë, kësaj gjendjeje?

Llonçar përmend diçka që mund të tingëllojë si “formula e Arbanasit”(fshatit arbëresh të Zarës).

“Gjatë okupimit italian arbëreshët e Zarës flisnin para shtëpisë italisht, në oborr arbërisht, e në shtëpi kroatisht. Kur u çlirua Zara dhe pushtetin e morën kroatët, arbëreshet para shtëpisë flisnin kroatisht, në oborr arbërisht, e në shtëpi italisht”.

Pragmatizëm, ndoshta edhe i skajshëm.

Mate Graniq, ish-ministër i Jashtëm dhe kryenegociatori kroat në të gjitha fazat-refugjatët, largimi i APJ-së, marrëveshja e Washingtonit për federatën boshnjako-kroate, normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin- po ashtu e sheh një botë të ndërlikuar. “Kurrë nuk ka qenë më e ndërlikuar se sot”, shton ai.

E takova në ndërtesën e Qeverisë në Sheshin e Shën Markut. Është këshilltari për politikë të jashtme i kryeministrit të vendit, Plenkoviq.

Sot, kur të botohet ky shkrim është në Prishtinë, për të kremtuar 25- vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe për të shënuar po ashtu forcën e miqësisë, të ndërtuar hap pas hapi e në kohë të vështira për të dyja vendet./Koha

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • AdiOs: 12/06/2024 14:04

    Tani, ke mbetur jashtë liste sepse kur ti ishe në listë, ata të sotit ishin jashtë! Populli, pikërisht populli nuk harron! Nuk ka asnjë ekuacion që në të gjitha sistemet përputhet! Përmendorja e Fadil Hoxhes do hiqet pikë!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?