Vladimir Putin dhe Donald Trump

Opinion

Veton Surroi: Putini, Trumpi dhe Platoni rivizatojnë Evropën

26 Mars, 16:19| Përditesimi: 26 Mars, 16:28

  • Share

Presidentët Putin dhe Trump kanë zhvilluar në tre vjetët e fundit, jo me ndonjë koordinim dhe dije paraprake, një bashkëpunim intensiv në përcaktimin e identitetit evropian të shekullit XXI. Dhe, për këtë i kanë ftuar në ndihmë filozofët evropianë, Platonin, Fichten dhe Hegelin (e lista mund të jetë e gjatë deri në ditët e sotme).

Presidenti Putin me luftën e hapur pushtuese në Ukrainë, të filluar në shkurt të vitit 2022, ndikoi që popujt evropianë të ripërcaktojnë identitetin e tyre në saje të kundërshtisë. Evropa prej vitit 2022 e këtej po përpiqet të ndërtohet si kundërshti ndaj një veprimi të paprecedent prej vitit 1945, sulmit pushtues të një shteti ndaj shtetit tjetër evropian. Në këtë kuptim, Evropa prej vitit 2022 është duke u ndërtuar si një kundërshti ndaj politikës së Putinit, ndaj krejtësisht e kuptueshme qe që Suedia dhe Finlanda, shtete që ndërtuan një traditë të pranuar gjithandej prej shtetesh neutrale, të vendosnin të jenë anëtare të NATO-s. Presidenti Putin kështu zgjeroi pjesën evropiane të NATO-s dhe e begatoi me traditën e dy shteteve skandinave.

Presidenti Trump, duke paralajmëruar se SHBA-ja nuk do të mbajnë më përgjegjësi të sigurisë evropiane, e ka nxitur Evropën drejt përcaktimit të identitetit të vet në saje të kësaj kundërshtie të re. Kështu Evropa, që ia dha NATO-s edhe dy shtete të tjera anëtare, tash ballafaqohet me identitetin e ri, atij të konsideruarit të sigurisë së kontinentit eventualisht pa ombrellën mbrojtëse amerikane.

Nëse i pyesim filozofët evropianë - t’i thërrasim në ndihmë Platonin, Fichten dhe Hegelin - Evropa e sotme po përcaktohet për momentin me atë që nuk është, apo nuk dëshiron të jetë. Pra, nuk dëshiron të jetë një Evropë vulnerabël, në të cilën tanket ruse mund të hyjnë cilëndo prej ditëve që presidenti Putin përcakton se ky apo ai popull, apo ky apo ai shtet evropian, nuk ekziston a nuk duhet të ekzistojë. Dhe, njëkohësisht, nuk dëshiron të jetë një kontinent i cili duke përjetuar periudhën më të mirë të historisë, të një paqeje të pandërprerë gati 80 vjeçare (dhe këtu, me qëllim, harrohen luftërat e zhbërjes së ish-Jugosllavisë , si “joevropiane”) përnjëherë gjendet në një hapësirë të pasigurisë të krijuar nga kuptimi se marrëdhënies së deritanishme me Amerikën i ka ardhur fundi.

Platoni do të na mësonte se "Njëshi" nuk mund të ekzistojë pa "Tjetrin", pra Evropa mund të kuptojë se çka është duke u ballafaquar me atë që nuk është, pra tradicionalisht nuk është me Rusinë, apo me atë që ka zbuluar tash se nuk është, Amerikën (transatlantike) .  Johann Gottlieb Fichte argumentonte se "Unë" nuk mund të ekzistojë pa një "Jo-Unë" – një subjekt mund të kuptojë veten vetëm në raport me një kundërshtar apo sfidë. Evropa e sotme është intensivisht e Fichtes, kur po kupton se SHBA-ja nuk është më “fuqia më e madhe evropiane”, diçka që evropianët janë mësuar ta kenë si të mirëqenë. Dhe Hegeli na mëson tutje se identiteti evropian po ndërtohet në një dialektikë kundërshtish: interesi i SHBA-së jo domosdo është i përputhshëm me atë të Evropës dhe Evropa tash duhet të rizbulojë se si do të ndërtohet një përputhshmëri e re interesash në një rend në të cilin Pax Americana (Paqja amerikane) nuk ekziston si paradhënie garancie bankare.

Tashmë është e qartë, në këtë fazë fillestare se çka është ajo që Evropa nuk dëshiron të jetë – një kontinent i pambrojtur dhe i ekspozuar ndaj agresionit rus apo i braktisur nga aleati i saj transatlantik. Nëse është kështu, atëherë kontinenti ka hyrë në një urgjencë vetëpërcaktimi që nuk është vetëm i natyrës ushtarake e gjeopolitike, por edhe filozofike dhe ekzistenciale. Kjo është një Evropë që duhet ta definojë veten jo më si një projekt që mbështetet në premisën e paqes së përhershme dhe garancive të jashtme, por si një entitet që mund ta mbrojë dhe ta garantojë autonominë e tij.

Faza fillestare është ajo e përllogaritjeve ushtarake. Ish-kreu i Komisionit Evropian, Juncker, kërkoi që hapi i parë të jetë  “përmirësimi i koordinimit të ushtrive evropiane dhe bashkimi i sigurisë – satelitët, inteligjenca artificiale në mbrojtje, kërcënimet kibernetike. Ne kemi 174 sisteme të ndryshme armatimi; SHBA-ja ka 34. Ne kemi më shumë se një duzinë automjetesh luftarake për këmbësorinë; SHBA-ja ka tre. Ne kemi një numër të panjohur tankesh të ndryshme; SHBA-ja ka një”.

Në këtë fazë fillestare është tani vëmendja e qytetarëve të shteteve të mëdha evropiane. Në një sondazh nga revista dhe think tank - u franco-evropian Le Grand Continent 50 për qind e të intervistuarve në Holandë dhe Belgjikë, 48 për qind në Francë dhe 43 për qind  në Gjermani dhe Spanjë thonë se tani është urgjente që Bashkimi Evropian të rrisë shpenzimet për mbrojtje deri në 5 për qind të bruto prodhimit kombëtar.

Por, këto janë vetëm shenjat e para – dhe urgjente - të zgjimit. Do të pasojnë pyetjet thelbësore. Për shembull, çka paraqet Evropa në kuptimin e një zone sigurie? Përgjigjja evidente është hapësira që fillon në Britani të Madhe e përfundon në Turqi, përfshirë në këtë krah lindor edhe atë pjesë të Ukrainës që do ta kontrollojnë ukrainasit. Por, edhe këtu ka risi konceptuale: Kanadaja që tani do të dëshirojë të bëhej pjesë e bashkimit industrial për prodhimin e armëve. Dhe nëse do të mund të ishte Kanadaja (ndonëse një vend “evropian” në kontinentin amerikan) pse të mos ishin Koreja e Jugut dhe Japonia, që tashmë kanë zhvilluar bashkëpunimin me vendet anëtare të NATO-s?

I tërë kundrimi i një arkitekture të re të sigurisë qartazi kërkon kornizën e vet politike. Ajo mund të jetë kjo që është sot, NATO, aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit, por tashmë me një rikontraktim të brendshëm, posaçërisht në marrëdhënien mes SHBA-së dhe Evropës. Mund të jetë edhe e një autonomie strategjike evropiane (ide e vjetër, që nga presidenti francez De Gaulle), sërish brenda NATO-s. Mund të jetë e formave të reja inventive (të partneriteteve strategjike të mbrojtjes me shtete që nuk janë ende në NATO). Mund të jetë edhe diçka që ende nuk kemi dëgjuar.

Por, së fundmi, sfida themelore që do t’i paraqitet Evropës (prej Britanisë së Madhe deri në Turqi e Ukrainë) është se si të ndërtohet një zonë e përbashkët e sigurisë evropiane me përgjegjësi të plotë të shteteve evropiane?

Kjo është sfidë që tejkalon mendimin aktual në Bashkim Evropian, shtetet anëtare veç e veç dhe shteteve joanëtare si Britania e Madhe, Turqia apo në të ardhmen Ukraina, me potencial të theksuar në fushën e mbrojtjes. Kjo është sfidë që po ashtu tejkalon institucionet e deritanishme evropiane politike e të sigurisë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor gjenden tash në një moment historik analog në peshë me atë të vitit 1989, me rënien e Murit të Berlinit. Edhe asokohe u bë përcaktimi i identitetit me atë që ato vende nuk ishin apo nuk donin të ishin. Nuk ishin dhe nuk donin të ishin shtete komuniste dhe shumica prej tyre donin të ishin të pavarura. Që nga rënia e Murit të Berlinit është duke u zhvilluar lufta identitare e këtyre shteteve tashmë për atë se çka duan të jenë, supozohet shtete demokratike, funksionale e në paqe me fqinjët. Ky proces nuk ka përfunduar; ka ende shtete që nuk janë krejtësisht demokratike, funksionale apo në paqe me fqinjët.

Ndërkohë sfida e re është edhe një shkallë më e lartë, si ta gjejnë identitetin e tyre në një Evropë që vetë është shtyrë në sfidën e vet identitare. Mbase hapi i parë i kësaj hyrjeje në vetënjohje është identifikimi i problemit: si të jetojmë në një hapësirë të përbashkët sigurie./Koha 

Xh.D/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?