Veton Surroi: Stinë e jomërzitshme për në Olimp

10 Korrik, 08:12| Përditesimi: 10 Korrik, 08:15

  • Share

Kosova (me gjithë modestinë e vogëlsisë së saj) gjendej aty ku janë Franca dhe SHBA sot- të votojnë për të penguar që të fitojnë pushtet kundërshtarët e demokracisë liberale. Mësimi për të gjithë është se pengimi i ardhjes së kundërshtarëve në pushtet është shumë i rëndësishëm, por jo edhe i mjaftueshëm.

Një herë dhe moti në kontekstin e dinamikës historike, do të ketë qenë viti 1993, një taksist në Londër më shpjegoi pse nuk ndihet evropian me konstatimin e thjeshtë gjeografik se është qytetar i Britanisë së Madhe, që është një ishull, ndërsa që Evropa është një “mainland” që është territor fqinj i këtij ishulli. Taksisti nuk ishte konservator, për më tepër kishte vetëm fjalë të këqija për këtë parti, por në mendjen e tij ky do të kishte qenë sentimenti i përgjithshëm i britanikëve- një i veçantisë-që karakterizon këtë vend dhe kombet e ndryshme që e përbëjnë.

Më ra në mend ky përkujtim i taksistit mbi 30 vjet më pas, ndërsa përfunduan zgjedhjet në Britani të Madhe dhe Partia laburiste shënoi fitore mbresëlënëse me të cilën zëvendësoi pushtetin e konservatorëve të 14 vjetëve të kaluar.

Në Britaninë e Madhe kjo mund të duket gjë e zakonshme- herë merr pushtetin Partia konservatore e herë ajo Laburiste –një stabilitet i demokracisë liberale në të cilin rotacioni i pushtetit bëhet me një gotë shampanje a birre natën e shpalljes së rezultateve dhe me mbledhjen e parë të qeverisë së re një ditë më pas.

Në këtë vit, kur mbahen zgjedhjet në gati gjysmën e botës më duket se Britanisë së Madhe i përket përshkrimi global i taksistit, një ishull i demokracisë liberale. Zgjedhjet e Britanisë së Madhe mund të kenë sjellë të majtën në pushtet pas 14 vjetësh, por kjo është e majtë tradicionale , që merr pushtetin prej të djathtës tradicionale. Një ndryshim, brenda traditës.

Në këso përshkrimi Britania e Madhe më duket si qendra gravitacionale e demokracisë liberale në botën transatlantike. Përtej Oqeanit, në SHBA zhvillohet një garë tjetër politike, siç u bë gjatë javëve të fundit në anën tjetër të Kanalit të Lamanshit. Ka diçka të përbashkët në këto dy gara , në SHBA dhe Francë, e ajo është nevoja mobilizuese për të qenë kundër rreziqeve- në këso rasti të rreziqeve për demokracinë liberale. Në SHBA gara e sotme nuk është se kush nga kandidatët do ta bëjë këtë apo atë veprim ekonomik e këtë apo atë qëndrim gjeopolitik. Gara në SHBA është reduktuar në atë se si të pengohet ardhja në pushtet e Donald Trumpit, një njeriu i cili është shpërfillës i demokracisë liberale. Gara në Francë për parlamentin e vendit në rundin e dytë të sistemit të veçantë zgjedhor francez, nuk ishte e ndonjë oferte të veçantë ideologjike, ishte ajo e “kordonit sanitar” për ta penguar ardhjen në pushtet të së djathtës së skajshme, të identifikuar tradicionalisht me emrin LePen.

Zgjedhjet në Francë treguan se mund të ndalet e djathta e skajshme- ajo mbeti në vend të tretë-por po ashtu treguan se të jesh kundër nuk mjafton për të qeverisur. Në javët e ardhshme Franca duhet të formojë një qeveri e cila do të duhet të tregojë një sens tjetër ekzistence, pos të qenit kundër së djathtës së skajshme.

Dhe në SHBA, javët e ardhshme duhet të tregojnë se si saktësisht mund të pengohet ardhja e Donald Trumpit në presidencë: me apo pa Joe Bidenin si kundërkandidat.

Nga perspektiva e Kosovës, përvoja e këtij zhvillimi ku Britania e Madhe, qoftë edhe përkohësisht, është shndërruar në qendër gravitacionale transatlantike e të tjerët po përpiqen ta zënë, ka disa pika prekëse. E para dhe pothuajse automatike është se Britania e Madhe është vend i cili është spikatur me angazhimin për pengimin e gjenocidit, çlirimin e Kosovës dhe shtetndërtimin e saj. Ç’është e vërteta kjo ka qenë politikë edhe e Partisë konservatore e cila është spikatur në rolin udhëheqës për mbrojtjen e Ukrainës e të Evropës në tërësi nga ndikimi negativ rus. Megjithatë, një mandat i fortë për Laburistët dhe politikën e tyre të afrimit me fuqitë e tjera evropiane e bën atë sërish një shtyllë të fortë trans-atlantike e cila meriton më shumë ndikim në kontinentin evropian. Dhe, po, do të ketë më shumë Britani të madhe në Evropë, rrjedhimisht edhe në Kosovë.

Por dy jehonat e tjera janë interesante sa për punë analize zgjedhore ashtu edhe për të tërhequr paralele ardhmërie.

Kosova ishte në dilemën e ngjashme politike në çfarë gjenden Franca e SHBA. Në zgjedhjet e kaluara, një numër i madh votuesish doli për të kundërshtuar pushtetet korruptive, të kapjes së shtetit, të dhunës politike e të jokompetencës së plotë pos në hajni. Zgjedhjet e kaluara krijuan një pushtet të duarve të pastra, por jo domosdoshmërisht një pushtet në të cilin ato duar të pastra dëshmojnë aftësi për të hyrë në punë në sektorë të ndryshëm jete.

Nëse shërben për diçka si mësim që mund t’u japim francezëve është se edhe pas fitores kundër atyre që nuk i duam në pushtet (kapësve të shtetit, hajnave apo të djathtës së skajshme) nuk do të thotë se automatikisht e kemi kaluar lumin drejt një qeverisje efikase.

Dhe, po ashtu, nëse ka diçka që mund të krijojë paralele, është se në të konsumuar mandatin e fituar duke kundërshtuar hajnat, kapësit e shtetit apo përfaqësuesit e të djathtës së skajshme (si Trump apo LePen), do ndërtuar një narracion të ri, një ofertë të re.

Nëse do thjeshtësuar në vija të trasha këtë rrëfim zgjedhjesh atëbotë ai do të duket kështu. Gati gjysma e botës do të votojë më 2024. Në vende si Meksika u  zgjodh për herë të parë një grua (hebreje, shkencëtare) presidente , e në Iran një figurë reformatore-me rëndësi për demokracinë si të tillë, me jo ndonjë konsekuencë të drejtpërdrejtë për Kosovën. Në vendet e BE-së gëzimi do të jetë nga fakti se e djathta e skajshme nuk fitoi aq sa mendohej a presupozohej, dhe e njëjta gjë ndodhi në Francë.

Në botën e cila ka ndikim mbi jetën e kosovarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi, atë transatlantike, gëzimi i përgjithshëm do të jetë nëse nuk fitojnë Trump, Orban, Le Pen dhe pjesëtarë të kësaj shoqërie. Në radhë të dytë, pastaj do të vijë pyetja se kush fitoi në vend të tyre.

Kosova, vend i çudirave, është një cikël zgjedhor përpara atyre të botës transatlantike, dhe pyetja të cilën partitë politike duhet ta bëjnë përpara elektoratit në zgjedhjet që do të vijnë kur të përfundojnë këto të gjysmës së botës , është jo kundër çkahit duhet të votojnë qytetarët e vendit, por për çka konkretisht duhet të votojnë.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?