Vettingu i KPA nxjerr përfundimisht nga sistemi i drejtësisë për 15 vitet e ardhshme gjyqtarin e Elbasanit, Bujar Musta.
Lihet në fuqi vendimi i KPK-së, i marrë katër vite më parë dhe i ankimuar nga ish-magjistrati. Mustës iu gjetën probleme në të tre kriteret e vlerësimit.
Vendimi wshtw marrw ditwn e sotme (6 Shkurt).
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo si anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 65/2021, datë 08.11.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Bujar Musta, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 447, datë 17.09.2021.
Në përfundim të gjykimit, në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 447, datë 17.09.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Bujar Musta. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, njoftoi sot KPA.
Gjatë seancës dëgjimore të 15 shtatorit 2021, Komisioni ngriti dyshime se gjyqtari i Elbasanit, Bujar Musta ka fshehur një apartament pas kontratave fiktive dhe se nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurive.
Gjithashtu u konstatuan dyshime për veprime të kundërligjshme në ushtrimin e detyrës dhe favorizim të të proceduarve. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, kishte paraqitur në KPK një raport, ku paraqiteshin informacione që ngrinin dyshime për përfshirjen e subjektit në korrupsion pasiv, veprime të kundërligjshme dhe shpërdorim detyre.
Musta i kundërshtoi gjetjet e Komisionit për të tre kriteret e rivlerësimit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë atëkohë si dhe gjatë procesit të apelimit, por nuk e bindi dot KPA-në me barrën e provës.
Bujar Musta e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Elbasan. Në vitin 2014, Musta i është nënshtruar edhe një procedimi disiplinor dhe ka marrë “vërejtje me paralajmërim” nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Komente
