Politikë

Vettingu i politikanëve, Meçe: Idiotësi juridike e PD! Hoxha: Maskarallëk politik për t'u bërë presion kundërshtarëve! Përmeti: Pjesë e paktit Rama-Basha! Braho: Vlen si vettingu në gjyqësor

19 Tetor 2021, 21:43| Përditesimi: 20 Tetor 2021, 08:22

  • Share

TIRANË- Vettingu për politikanët, një propozim që është hedhur sërish në tryezë nga Partia Demokratike, ka ndezur debate në opinionin publik, ku të ftuarit në 'Repolitix' në Report Tv janë të ndarë me pro dhe kundër. Andi Përmeti dhe Ledio Braho, në cilësinë e juristit kanë analizuar me detaje një nga pikat kryesore të këtij propozimi, asaj ku parashtrohet se si do të bëhet ky Vetting. 

“Kontrollit i nënshtrohen edhe personat e lidhur me funksionarin publik të përmendur në pikën 1, ku përfshihen bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmijët në moshë madhore, si dhe çdo person tjetër i përbërjes familjare të këtyre funksionarëve. Në rastet e përcaktuara nga ligji, kontrollit i nënshtrohen edhe persona të tjerë të lidhur me funksionarin publik ku përfshihen bashkëshortët e fëmijëve në moshë madhore, vëllezërit dhe motrat dhe bashkëshortët e tyre, personat me miqësi të njohur apo lidhje familjare me funksionarin publik, një zyrtar apo person tjetër me lidhje varësie, qoftë edhe të tërthortë, për shkak të funksionit publik me funksionarin në fjalë, si dhe çdo person fizik apo juridik me të cilin zyrtari ka pasur ose ka marrëdhënie interesi të çfarëdo lloj”, thuhet në propozimin e sjellë nga PD-ja.

Pikërisht, kjo fjali e fundit, "çdo person fizik apo juridik me të cilin zyrtari ka pasur ose ka marrëdhënie interesi të çfarëdo lloj”, është çelësi për të kuptuar thelbin, ka thënë Përmeti. Dhe për ta kuptuar më thjesht ai ka sjellë një shembull konkret. “Që personat të kenë marrëdhënie interesi”. Është kushtëzimi i të gjithë fjalisë, nëse një politikan ka blerë një apartament në një çmim të ulët te X ndërtues, do të hetohet politikani dhe ndërtuesi, dhe nëse ka pasur marrëdhënie të tjera monetare mes tyre”, tha Përmeti.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe Ledio Braho, i cili tha se PD-ja synon që të bëhet me politikanët e njëjta gjë që është bërë me njerëzit e drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë.

“Nuk bëhet fjalë për marrëdhënie institucionale, por bëhet fjalë për lidhje interesi, janë dispozita që janë marrë nga vettingu në gjyqësor, nuk janë risi, pra gjithë debati në atë kohë kishte të bënte me kufizimin e të drejtave dhe ky lloj debati në Gjykata e të Drejtave Europiane është pranuar për shkak të korrupsionit në gjykatë, e njëjta gjë edhe për politikanët”, tha Braho.

Mirëpo, analisti Arben Meçe e ka cilësuar ”manifest politik” që as nuk duhet çuar ndërmend që të futet në Kushtetutë. Nëse një gjë e tillë do të ndodhte, Meçe shtoi se do të vinte në dyshim çdo hallkë të shtetit. 

“Manifest politik që nuk e kuptoj se kush e pranon që të fusin në kushtetutë citime të tille, se një sistem që vë në diskutim presidentin, kryeministrin që kanë në dorë fatin e vendit, dhe kush do e bëjë këtë SPAK, nëse do ketë në çdo hap dyshim, atëherë nuk do të bëjmë asnjë shtet, edhe dekriminalizimi ishte anti-kushtetuese. Nuk u fut në Kushtetutë. Idiotësi juridike”, tha Meçe.

Edhe ish-nënkryetari i FRPD-së, Lisandër Hoxha, e quan tallje me publikun, duke thënë se kjo është një marrëveshje mes Ramës dhe Bashës për të ushtruar kontroll te disa politikanë që dalin kundër urdhrave të kryetarëve të tyre.

“Tallje me publikun, është rrëzuar në 2018 për shumë shkelje. Nga pikëpamja juridike është nul juridik. Në 2017 Luli në çadër thoshte që ka një komplot mafioz të ambasadorëve dhe Edi Ramës, për të kapur vettingun e gjyqësorit dhe SPAK është produkti i kësaj, tani si do e bëjë SPAK Vettingun  e politikanëve. Ky është maskarallëk politik për të ushtruar ndikim te SPAK për politikanë të caktuar kundërshtar të Ramës dhe Bashës t’i çojë SPAK, do i kthejë politikënët në kukulla të bindur ndaj Ramës dhe Bashës, është një marrëveshje e shkruar shumë kaherë. E kam të qartë, nuk e dyshoj”, tha Hoxha.

Që është një marrëveshje Rama-Basha është i mendimit edhe Andi Përmeti. “Basha jep 3 propozime, (Vettingu në politik, territorialja dhe zgjedhore), për të marrë njërën, në këmbim të dhënies së votës për zgjatjen e afatit të KPK-së", tha Përmeti, me bindjen se Vettingu i politikanëve nuk do të pranohet. 

“Besoj që kemi një marrëveshje paraprake mes Bashës dhe Ramës dhe në këtë rast asnjë rast në një marrëveshje publike nuk mund të marrë të gjitha, Basha ka shtruar 3 teza për të marrë 1, dhe kjo nuk ka për të kaluar”, tha Përmeti.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • ali baba me 40 hajdutet: 20/10/2021 09:30

    Un jam i mendimit qe vetingu per politikanet duhet bere njelloj si ai i drejtesise ku te perfshihen te gjithe dhe ish politikanet,sidomos ata qe kane pasur dhe kane poste(perfshi ketu dhe Bashen e Ramen)por edhe njerez si Tom Doshi,Ervin Rroshi e Erjon Veliaj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?