Lulzim Basha kur punonte në UNMIK dhe tani

Opinion

Vettingu i politikës, milioni i parë i Bashës, faturat nga UNMIK dhe “Bermuda”

29 Tetor 2021, 17:59| Përditesimi: 29 Tetor 2021, 21:29

  • Share

Lulzim Basha në të gjitha daljet publike ka këmbëngulur që lufta kundër korrupsionit në Shqipëri merrte dimensionin maksimal dhe të duhurin vetëm me miratimin e një ligji dhe ndryshimeve në Kushtetutë, përmes të cilave të gjithë politikanët të kalojnë në Vetting. Një nismë e mirë në fakt!

Madje e ka bërë “kalë beteje” këtë nismë, të cilën e ka lançuar dhe në Parlament, duke u zotuar në sy të shqiptarëve se vettingu i politikës duhet të fillojë nga ai i pari, i dyti të jetë Edi Rama, kryeministri i vendit dhe pas tij “dy brinjët” e tjera të “Trekëndëshit të Bermudës’, kreu i shtetit Ilir Meta dhe ish kryeministri e rivali aktual politik brenda PD për postin e kryetarit Sali Berisha.

Nënvizojmë se ky i fundit ndjehet “besëprerë” nga Basha dhe është në kulmin e tërbimit, që gjen qetësi vetëm pas mbledhjes së Kuvendit të PD, me shumë gjasa do të jetë më 11 dhjetor, me shkarkimin e kryetarit të PD, post, të cilin ia ka dhuruar plot tre herë.

S’po hyjmë në detaje se pse Basha i ka cilësuar Berishën, Metën dhe Ramën si tre “brinjë të trekëndëshit”, pak e njeh gjeometrinë, pasi për të qënë korrekt me këtë disiplinë matematike duhej t’i quante “kulme” të “trekëndëshit”. Po ai falet, se s’merr vesh fare nga matematika!

Ato duhet t’i shpjegojë ditë pas dite vetë Basha duke evidentuar arsyet se përse e vë këtë shenjë barazimi mes Ramës, Berishës dhe Metës, apo të shpjegojë dhe vendin e vet që ka tek “b***a” e “kulmit” të këtij trekëndëshi “Bermude”, Sali Berisha.

17 vite pranë Berishës s’janë pak. Dhe sikur me një ujk apo dele të qëndrojë dikush kaq vite në të njejtin “vathë”, do të kishte futur në “fjalorin” e vet, ulërimën e ujkut apo blegërimën e deles.

Që të rikthehemi tek vettingu i politikës, dhe meqënëse Basha është dhe nismëtar i ligjit që kalon të gjithë politikanët nëpër “karuselin” e verfikimit të pasurisë, lidhjeve të mundshme me krimin e elementët kriminalë, apo sjelljet e turpshme gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit ose shtetarit, pasi verifikimi i profesionalizmit nuk futet si ‘zë’ sepse në Shqipëri politika nuk është profesion, për mjet për t’i shërbyer pasurimit, Basha duhet ta fillojë nga vetja. Sikurse e ka deklaruar se është gati të fillojë vettingu nga ai.

Dhe meqë është kaq i vendosur si “atlet” serioz i Vettingut të politikanëve, që “do t’i thyente brinjët një nga një trekëndëshit të Bermudës”, besojmë se Lulzim Basha nuk ka pse të presë rënien dakord me mazhorancën dhe Edi Ramën për të ndryshuar Kushtetutën për këtë qëllim.

Të vetë-vetohet vetë Lulzim Basha. Kështu i hap zemrën e “kuletën” qytetarëve shqiptarë dhe zbardh pasurinë e tij që në krye të herës, por dhe ‘vë’ Edi Ramën, Ilir Metën, Sali Berishën dhe gjithë politikanët shqiptarë para faktit të kryer. I vë në sedër përballë shqiptarëve me një fjalë.

Le ta fillojë Basha me zbardhjen e milionit të parë të fituar, që nga koha e kamarierllëkut në Rinas ku e çuan “levat” e partisë që mbanin në këmbë regjimin komunist, e deri tek shkollimi në Utreht-Holandë, me bursën e Sorosit, dhe mirë ka bërë që e ka shfrytëzuar, si dhe duke mos refuzuar dhuratat e mikut dhe “babait” të tij të dytë holandez.

Dhe këto mirë ka bërë, dhuratën e pranon dhe “mbreti”, është një thënie e hershme dhe e njohur në të gjithë botën. Dhurata nuk refuzohet, deri në momentin kur ke diçka në dorë dhe mund të ndryshojë emër e të quhet në ryshfet.

Për të qënë konkretë, në atë kohë dukeshin shumë 830 mijë euro të bëra si kamerier, student dhe ca vite pune në UNMIK në Kosovë, që parë dhe nga momenti i çlirimit të shtetit të dytë shqiptar në pranverë 1999 e deri sa Basha erdhi në Tiranë në vitin 2004 ku përmes KOP-it u katapultua në lidershipin e PD, duken shumë. Duken dhe sot shumë para të vëna kaq shpejt.

Basha le të na shpjegojë si i bëri këto para, ka ndonjë faturë pagese për këto nga UNMIK-u, Haga sikurse pretendon dhe ku ka marrë ndonjë lek.

Pasi justifikimi i pasurisë është kërkuar përmes faturave nga ana e organeve të Vettingut në drejtësi, për gjyqtarët dhe prokurorët. Është kërkuar dhe për policët gjatë vettingut në këtë institucion. Drejtësia u përgjysmua, u shkri Gjykata Kushtetuese madje por dhe gjykatat e prokuroritë, vetëm e vetëm sepse anëtarët e këtyre institucioneve të drejtësisë e deri drejtuesit e tyre nuk i justifikonin milionat që kishin në llogaritë e tyre bankare. Të ballafaquara me rrogat. Kuptohet, ato para që ishin në ‘sipërfaqe’, pasi nuk e vëmë ‘dorën në zjarr’ se sa para kanë të padeklaruara fare. Dhe për pasojë mbetën në “rrjetën” e Vettingut.

Në të njejtën mënyrë të veprojë dhe Basha, që për “t’ua mbyllur gojën” Berishës, Metës e Ramës apo siç ka qejf ai t’i quajë “Trekëndëshi i Bermudës”, të sjellë faturat nga UNMIK, Haga e deri nga Rinasi si kamerier, që t’i ballafaqojë dhe t’i “puthisë” me pasurinë e tij të krijuar deri në vitin 2004. Nuk po kërkojmë më pas të hyjmë as te përfitimet që ka pasur si ministër Transportesh, u zhdukën 230 milionë Euro të Rrugës së Kombit, as si Ministër i Jashtëm kur iu fal deti Greqisë dhe as si ministër i Brendshëm dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Madje as në blerjen e 4 vilave sikurse e akuzojnë kundërshtarët brenda dhe jashtë PD, në dy vitet e fundit në opozitë. Jo. Nuk po kërkojmë aq shumë ne.

Të zbardhë vetëm milionin e parë, për “inat” të Berishës, Metës e Ramës, dhe t’i vendosë ata me “shpatulla pas muri” e t’i detyrojë që të deklarojnë dhe ata pasurinë, me apo pa filluar Vettingu i politikanëve. Dhe nëse ata e refuzojnë një gjë të tillë, atëherë i vetëm kundër të gjithëve, Basha ka të gjithë të drejtën e Zotit të kërkojë votën e shqiptarëve për të shkatërruar “Trekëndëshin e Bermudës” e për t’ia bërë jetën jetën ‘malore’  Berishës, Metës, Ramës, gjithë bashkëministrave të PD me të cilët ka qeverisur për 8 vite, i zhytur në llum sikurse thotë vetë Basha, gjithë ish ministrave dhe ministrave aktualë të PS.

Unë që po shkruaj këto radhë më kujtohet konferenca e parë e shtypit e Bashës si ministër i Transporteve. Ka qënë fundi i shtatorit 2005. Ai ishte “ylli në ngjitje” i PD, dhe ishte e vështirë që t’i bëjë pyetje, pasi ishte në fillimin e politikës shtetërore dhe s’kishe ku ta “kapje”.

Por andej nga fundi, Basha e “ndërlikoi” vetë situatën , teksa në përpjekje për të thënë se nuk kishte asnjë nevojë që të prekë paratë e shqiptarëve sa kohë të ishte ministër, deklaroi se kishte një pasuri prej diku tek 830 mijë euro.

Deklarimi i tij shkaktoi habi tek gazetarët e tulatur në sallën e konferencave në katin e dytë të kësaj ministrie. Dhe duke qënë se nuk e besoja që një djalë i ri, pa qënë në ndonjë post publik që ta ketë “ngjyer” sadopak për t’i shtuar dhe rrogën mujore pastaj shumës së përfituar, të kishte kaq shumë para mënjanë, në mënyrë të pavetëdijshme më doli nga goja pyetja: “Zoti Basha, po flet për pasurinë e pritshme këtej e tutje apo për pasurinë aktuale?”

Sqarimi i Bashës për pasurinë aktuale, u pasua më pas me kërkesën që të mos evidentohej një pyetje e përgjigjie e tillë në mediat ku punonim, gjë e cila ndodhi, përpos në median e autorit të pyetjes së “pafajshme”  dhe të këtyre radhëve.

Dhe vërtetë është vështirë të besohej që një rrogtar, qoftë dhe në UNMIK të mbledhë 830 mijë euro pasuri. Bashkë me gruan e ardhshme. Se i bie që grupi nga Shqipëria në këtë institucion të OKB të vendosur në Kosovë, të ketë marrë gjithë fondin e pagave të armatës së madhe të punonjësve të UNMIK, të ardhur nga gjithë bota.

Përmes një llogarie të thjeshtë, dhe sikur të ketë pasur pagën 5 mijë euro në muaj, bashkëshortja nuk ka qënë ‘eprore’ dhe po ia lëmë 4 mijë euro, gjë që nuk e kanë pranuar bashkë-UNMIK-asit e tjerë të Bashës dhe Aurela Isufit, llogaria nuk del 830 mijë euro pasuri, të vëna këto për 5 vite punë. Përmes një përllogaritje strikte nuk shkon më shumë se 540 mijë euro.

Po afër 300 mijë euro të tjera ku i ka gjetur Lulzim Basha, përmes “honorareve” për shërbimet e zhdukjes së provave, kasetave të regjistruara për krimet serbe i ka bërë, sikurse e kanë akuzuar në Shqipëri dhe Kosovë?! Apo udhërrëfimi për tek “Shtëpia e Barit”, për hetimin e ‘transplantit’ të pretenduar të organeve njerëzore, sikurse e akuzojnët? Megjithëse dhe ky shërbim ishte pjesë e pagesës 5 mijë euro. Ka faturë?

Ndërkohë që përllogaritja është bërë pa futur brenda shpenzimet e çiftit, thjeshtë për të ngrënë e pirë, pasi nuk kemi informacion as se UNMIK kishte mensë për punonjësit që të konsumonin vaktet ushqimore pa para dhe as që Basha e bashkëshortja e tij kishin operuar stomakun dhe “punonin” me bateri. Po jeta e luksit, udhëtimet, darkat e drekat, veshëmbathjet si janë mbuluar?

Ndaj themi që Lulzim Basha duhet t’i dorëzojë vetë faturat e pagesave të UNMIK, për të bërë Vettingun e pasurisë së tij, përballë “Trekëndëshit të Bermudës” që “refuzon” vetingun sikurse akuzon vetë kreu aktual i PD.

Ju garantojmë se në dhënien e lekëve të gjithë organizmat ndërkombëtarë janë shumë striktë, të “mbysin” me dokumente, pasi dhe vetë ata do t’i paraqesin diku në instancat eprore për të justifikuar paratë që kanë hedhur për organizatën e tyre, për rekrutimin e personelit. Basha ka kohë t’i marrë dhe sot që flasim këto fatura justifikuese, UNMIK ende vijon të jetë në Kosovë!

Nëse Basha nuk ka besim tek Inspektorati i Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurisë, meqë e ka akuzuar deri më tani, aq sa kërkon që Vettingun t’ia kalojë SPAK, le ti dorëzojë këto fatura vetë në SPAK, në publik dhe atëherë e ka “shkatërruar” me tamam “Trekëndëshin e Bermudës”.

Të paktën të ngrihet në nivelin e subjekteve të OFL, të akuzuar si kriminelë që kishin vënë pasuri përmes krimit e punuar tërë jetën “në të zezë”, që ishin të detyruar që për 48 orë të justifikonin pasurinë, ndryshe ju konfiskohej.

Basha le të marrë një muaj kohë për këtë qëllim, ta marrë me nge, vetëm të “puthisë” faturat e pagesave të UNMIK dhe ku ka punuar deri në 2004, me pasurinë e vënë prej 830 mijë eurosh.

Ndryshe, nëse nuk e bën, jo vetëm që nuk “i thyen brinjët Trekëndëshit të Bermudës”, por rrezikon seriozisht para demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë në lidhje me seriozitetin e nismës së tij për vettingun e politikanëve nga ana e SPAK, duke kërkuar miratimin e një ligji që është i bindur dhe e di dhe vetë se nuk realizohet. Megjithëse është i nevojshëm të bëhet, jo nga SPAK të kuptohemi, ai është ngritur për një qëllim tjetër, është organ i pavarur hetimi.

Por mund të ketë dhe anën më të keqe të problemit, nëse Inspektorati i Pasurisë i ndjerë i fyer dhe i anashkaluar nga Basha që kërkon vetting përmes SPAK, të kryeje nga inati detyrën dhe t’i kërkojë Bashës faturat e pagesave nga UNMIK, për të verifikuar burimin e të ardhurave për milionin e parë të eurove të realizuar deri në vitin 2004. Shqiptarë janë dhe ata, dhe mund ta bëjnë në nerva e sipër këtë punë.

Nëse mund të ndodhë një gjë e tillë, atëherë sado çlirues të jetë një shkarkim i mundshëm në mesin e dhjetorit nga posti i kryetarit të PD, sikurse është betuar Berisha se do ta bëjë në Kuvendin Kombëtar, shtrëngues do të jetë përballja me drejtësinë. Ndaj Basha duhet të nxitojë dhe të gjejë justifikimin e milionit të parë të eurove të fituara dhe vënë mënjanë deri në 2004. Për t’i dhënë legjitimitet kërkesës për vetingun e politikës.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Cakarido: 29/10/2021 19:49

    Ore na trashe fare!! 850 milion euro apo leke?? Se e bere me te pasur se vet Soros.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?