Guximtar Boçi, ish-gjyqtari i shkarkuar me formë të prerë sot nga KPA

Kronikë

Vettingu/ Kërkoi favore seksuale në këmbim të një vendim gjyqësor, KPA shkarkon përfundimisht ish-gjyqtarin Guximtar Boçi

23 Janar, 20:20| Përditesimi: 23 Janar, 20:37

  • Share

Tiranë- Vettingu i KPA-së nxjerr nga sistemi i drejtësisë, duke e shkarkuar përfundimisht Guximtar Boçin, gjyqtarin e Gjykatës Gjirokastër, i cili u denoncua nga një qytetare në vitin 2016, se i kërkoi favore seksuale për ta ndihmuar me një vendim, skandal që u bë publik nëpërmjet një audio-përgjimi në atë kohë.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama si relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo si anëtarë, shpalli vendimin për çështjen e 29 Qershorit 2022, që i përket ankimit të magjistratit Guximtar Boçi, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i 10 Majit 2022, duke e lënë në fuqi verdiktin e KPK-së së shkallës së parë.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 530, datë 10.05.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Guximtar Boçi”, thuhet në vendimin e KPA-së.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar me vota unanime nga detyra gjyqtarin e Gjirokastrës, Guximtar Boçi, i cili u pezullua në vitin 2016 pas publikimit të një audio-skandali, ku i kërkonte një qytetareje favore seksuale në këmbim të ndërhyrjes në një vendim gjyqësor.

KPK gjeti problematika financiare. Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar balancë negative në vlerën totale 2.1 milionë lekë për familjen e subjektit të rivlerësimit dhe 900 mijë lekë për vajzën e tij në blerjen e apartamentit në Gjirokastër.

Sipas KPK, Boçi ka rezultuar me balancë negative në vlerën 400 mijë lekë për blerjen e një automjeti tip “Benz” për çmimin 600 mijë lekë dhe në pamundësi në shumën 92 mijë lekë për krijimin e një depozite 2.3 milionë lekë.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?