Vettingu/ Mbyllet rivlerësimi në KPK, në ‘filtër’ 805 magjistratët! Vetëm 373 u konfirmuan të ndershëm, qytetarët ndihmuan drejtësinë me rreth 6700 denoncime (SHIFRAT)

22 Nëntor, 12:05| Përditesimi: 22 Nëntor, 14:25

  • Share

Në 6 vite vetting procese rivlerësimi për gjyqtarë e prokurorë, kanë ndihmuar mbi 6700 denoncime të qytetarëve. Shifra e konfirmuar për Report Tv nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa një pjesë e rëndësishme e denoncimeve kanë shërbyer si provë dhe kanë ndihmuar shumë në vendimet e trupës vlerësuese, madje në disa raste ka qenë edhe vendimtare. 

Sipas statistikave që nga 18 shkurti i vitit 2018 i e deri më sot janë futur në sitë dhe janë marrë vendime nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për të 805 gjyqtarët, prokurorët dhe ndihmës ligjorë, teksa u konfirmuan si pa probleme vetëm 373, mes të cilëve 165 gjyqtarë, 167 prokurorë, 2 ish- inspektorë në KLD, 2 inspektor në KLGJ dhe 37 ndihmës/ këshilltarë ligjorë.

373 KALUAN NË KPK
165 gjyqtarë
167 prokurorë
2 ish-inspektorë në KLD
2 inspektorë në KLGJ
37 ndihmës ligjorë.

268 magjistratë janë konsideruar si problematikë nga KPK, në të paktën një prej shtyllave të rivlerësimit, dhe janë marrë vendime për shkarkim. Nga këta  146 gjyqtarë, 1 ish-gjyqtare në GJL; 116 prokurorë, 1 inspektor në KLGJ dhe 4 ndihmës ligjorë.

268 ‘NGELËN’ NË KPK
146 gjyqtarë
1 ish-gjyqtare në GJL
116 prokurorë
1 inspektor në KLGJ
4 ndihmës ligjorë

49 vendime janë për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar, nga të cilët 26 ish gjyqtar, 17 prokurorë; 1 ish- kryeinspektor në KLD-së; 2 ish-inspektorë në KLD dhe 3 ndihmës ligjorë.

49 PA VENDIM PËRFUNDIMTAR
26 gjyqtarë
17 prokurorë
1 ish- kryeinspektor në KLD-
2 ish-inspektorë në KLD
3 ndihmës ligjorë.

105 vendime për ndërprerje të procesit për shkak të dorëheqjes; 61 gjyqtarë, 27 prokurorë, 1 ish-prokuror; 1 ish gjyqtar, 1 ish- inspektor në KLD dhe 14 ndihmës ligjorë.

105 NDËRPRERJE PREJ DORËHEQJES
61 gjyqtarë
27 prokurorë
1 ish-prokuror
1 ish gjyqtar
1 ish- inspektor në KLD
14 ndihmës ligjorë.

Sipas statistikave gjithashtu janë 8 vendime të marra për pushimin e procesit, ku përfshihen 3 gjyqtarë, 1 prokuror dhe 4 ndihmës ligjorë, ndërsa 2 vendime për pezullimin nga detyra për 2 prokurorë, të cilët rikthehen në shkollën e Magjistraturës.

Procesi i vettingut në KPK, i cili nisi rreth 6 vite më parë, u nda në tri faza ku  dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë, të konsideruar si elita e drejtësisë, që aspironin edhe për të qenë pjesë e drejtësisë së re, nuk e kaluan provimin e vettingut. Pasuritë e pajustifikuara dhe lidhjet me eksponentë të krimit të organizuar, ishin arsyet për shkarkimin e tyre nga detyra.

Gjatë fazës së parë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dolën në seancë dëgjimore emra të rëndësishëm të sistemit, siç ishin anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, institucione që në përfundim të procesit të rivlerësimit, dolën jashtë funksionit, për shkak të shkarkimit të anëtarëve.

Në fazën e dytë të procesit të rivlerësimit, KPK-ja vlerësoi kandidatët që synonin të ishin pjesë e SPAK-ut, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë si edhe drejtues të gjykatave dhe prokurorive në rrethe. Ndërsa ne fazën e tretë, përpara KPK-së kaluan të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët.

Pas përfundimit të procesit në KPK, vettingu do të vazhdojë në shkallën e dytë në  KPA, anëtarët e te cilës kanë një mandat 9 vjeçar, deri në fund të vitit 2026. Mbrojtjen e rekomandimeve të ONM nuk do ta bëjë me Komisioneri Publik që i mbaron mandati njëjtë si me KPK, por sipas Kushtetutës prokurorët e SPAK. Komisionërët publikë kanë kërkuar që t’i bashkëngjiten Prokurorisë së Posaçme, ndërsa anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të marrin statusin e gjyqtarit, fate që ende nuk janë përcaktuar.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Luli: 22/11/2024 13:47

    Po lulezim hamitaj qe po hetohet per pasurine ne spak. Si do vej halli. Hajduti gjykon gjyqeteret. Imagjinoni nivelin e kpk ,njeri me moster e hajdut se tjetri

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?