Vetting-u në Policinë e Shtetit tashmë zyrtarisht ka hyrë në një proces verifikimi vetëm për anëtarët e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, pranë Ministrisë së Brendshme. Të gjithë pjesëtarët e kësaj strukture, të cilët më vonë do të jenë ata që do të kryejnë vetting-un për Policinë e Shtetit, do të jenë të parët që do të përfundojnë këtë proces, pas vonesave të shumta që prej dy vitesh.
Pas dy muaj pezullimi rifillojnë seancat publike në vetting-un në polici. Për shkak të ndryshimeve në ligj, e gjithë vëmendja do të përqendrohet tek SHÇBA-ja. Subjektet e kësaj të fundit do të përfundojnë në mënyrë të plotë verifikimin në tre kriteret e hetimit, pasuri, pastërti figure dhe aftësi profesionale, dhe më pas ata persona që do rezultojnë të pastër, do të marrin në vetting punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës. Në tre ditët e fundit, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka kryer dy seanca publike për subjekte të SHÇBA-së. Të martën u përballë Albion Sinani, specialist i trajtimit të ankesave, i cili rezultoi i pastër në të tre kriteret e kontrollit. Këtë të enjte Erjena Bashari, me funksion Shefe Sektori e Poligrafit, rezultoi e pastër.
Kur procesi ka zgjidhur ngërçin e parë, puna për rreth 45 punonjës të SHÇBA-së që duhet të kalojnë në vetting, pritet të ec me ritme të mira, duke mos reflektuar të njëjtat pengesa që janë hasur tek punonjësit e Policisë së Shtetit.
Gjatë dy viteve të vetting-ut në polici, prej nisjes së procesit, janë konfirmuar në detyrë 31 drejtues, përjashtuar nga detyra 4, dhanë dorëheqjen 5 të tjerë, duke e çuar në total në 40 numrin e të verifikuarve. Ritmet ishin të ngadalta, aq sa detyruan disa deputetë të Kuvendit të kërkojnë pezullim të procesit në Polici dhe në Gardë dhe përqendrimin vetëm tek SHÇBA-ja.
Dy probleme u ekspozuan në proces. I pari ka të bëjë me rishikimin në tërësi të mënyrës së shkallëve të të bërit të vetting-ut në trupën e Policisë së Shtetit. Dhe problemi tjetër është përgatitja e një trupe të brendshme, e cila duhet të merret me një proces të vazhdueshëm të verifikimit të figurës, sidomos gjatë zhvillimit të karrierës së punonjësit të Policisë.