Vetting-u në Policinë e Shtetit, AMP ende pa asnjë vendim! Në verifikim 72 drejtues

29 Tetor 2023, 18:49| Përditesimi: 29 Tetor 2023, 18:59

  • Share

TIRANË- Gjashtë muaj pas hedhjes së shortit për 36 drejtuesit e parë të Policisë, të cilët i nënshtrohen vetting-ut nga komisionet në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, asnjë vendim nuk është marrë. Ky proces pushoi së funksionuari përmes Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit për shkak të vonesave të shumta, por edhe me ndryshimet e reja, vijimësia duket se po ngec dhe mbetet e paqartë se ku është ngërçi kësaj here.

Deri në këtë fazë, kur po mbyllet edhe tetori, në faqen zyrtare të AMP-së figurojnë vetëm 3 vendime, që në fakt nuk janë si rezultat i filtrimit në 3 shtylla, pastërti figure, pasuri dhe aftësi profesionale, por tërheqje të vetë subjekteve nga pozicionet filtruese. Megjithatë, burime pranë komisioneve të vetting-ut thonë për Report Tv se shumë shpejt do të dilet me vendime, por nuk ka një datë të përcaktuar. Aktualisht, janë 72 emra drejtuesish më të lartë të bluve që po verifikohen në vetting, pasi në fillim të korrikut AMP hodhi shortin e listës së dytë prej 36 të tjerë. Në total janë rreth 300 funksionarë që plotësojnë kushtet për vetting, nivele drejtuese të cilët do të duhet të kalojnë në këtë proces çdo 5 vjet, duke pasur parasysh filtrimin periodik.

Vendimet e para të vetting-ut që po bën AMP janë fiks në periudhën kur brenda Policisë së Shtetit janë shtuar hetimet për përfshirje të tyre me eksponentë të krimit. Një prej subjekteve që ishte pjesë e shortimit të dytë të korrikut ishte Oltion Bistri, ish-drejtuesi Forcës së Posaçme Operacionale në Policisë Kriminale, i cili në fund të korrikut u arrestua nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe nxjerrje të akteve sekrete si pjesë e dosjes “Metamorfoza”. SPAK ka në verifikim një numër të madh efektivesh, të cilët kanë rezultuar në aplikacionet “SkyECC” dhe “Encrochat”, dhe në kushte të tilla AMP duhet të tregoj kujdes të shtuar në dhënie vendimesh të kalimit të vetting-ut.

Një vendim i gabuar për kalim me sukses, mund të prishte imazhin e të gjithë procesit të vetting-ut nëse më pas SPAK do të kishte urdhër-arresti për të. Në vetting-un e Policisë së Shtetit që e bënte Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit u filtruan në katër vite vetëm 57 policë, pesë raste pa konfirmime në detyrë, 7 të tërhequr nga detyra. Vonesat e shumta detyruan Kuvendin të ndryshoj taktikë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?