Vitore Tusha do të jetë gjyqtarja e radhës e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të kalojë në filtrat e Vettingut. Gjyqtarja do të paraqitet në një në një seancë dëgjimore përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në datën 4 prill. Mësohet se nga Vetingu ka gjetje për gjyqtaren Tusha, të cilat ngrenë dyshime lidhur me pasurinë por edhe integritetin profesional. Tusha pritet të pyetet për burimin e pasurisë së saj por edhe sa i takon pikëpamjeve profesionale për vendimet e marra në disa dosje gjyqësore që ka kaluar në dorë. Pak ditë më parë Vetingu "dogji" gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, i cili nuk justifikonte pasurinë prej rreth 500 mijë dollarë, ndërsa argumenti i tij se ia kishte dhuruar motra nuk u mor në konsideratë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Pritet që gjyqtari i radhës, i cili të kalojë përpara KPK-së të jetë kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Ndërkaq, Vitore Tusha është diplomuar në vitin 1983 në Fakultetin e shkencave Politike-Juridike, dega Drejtësi. Nga viti 1983 deri në vitin 1990, ka ushtruar detyrën e Përmbarueses Gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe më pas deri në vitin 1992 ushtroi profesionin e avokatit. Në periudhën 1992-1994 ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e rrethit Tiranë dhe në vitet 1994-2001 atë të gjyqtares në Gjykatën e Kasacionit. Në vitet 1999-2001 ka qenë kryetare e Kolegjit Civil të kësaj gjykate. Në vitin 1997 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike”. Në vitin 2004 zgjidhet nënkryetare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Nga viti 1986 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Civile dhe Procedurës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës. Është bashkëautore në hartimin tekstit Procedura Civile. Ka marrë pjesë me cilësinë e ekspertes ligjore në hartimin e disa projektligjeve. Në mars 2008 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.