Ish-prokurori Binas Nina, gjatë Vettingut në KPK

Kronikë

Vettingu nxjerr nga drejtësia prokurorin e Elbasanit, KPA lë në fuqi vendimin e KPK për Binas Ninën! Magjistrati me dy shtetësi, rezident dhe në SHBA! Probleme me pasurinë

6 Mars, 16:59| Përditesimi: 6 Mars, 17:08

  • Share

Tiranë- Vettingu nxjerr nga sistemi i drejtësisë për 15 vite prokurorin e Elbasanit, Binas Nina.

Problemet me pasurinë e kanë penalizuar magjistratin, i cili nuk arritu të kalonte barrën e provës në shkallën e dytë, pas problemeve të gjetura me pasurinë.

KPA shpalli sot (6 mars) vendimin e formës së prerë, pak më shumë se tre vite pasi Nina ishte shkarkuar nga shkalla e parë e KPK. Vendimi ishte marrë më dhjetor 2021 dhe u apelua në shkurt 2022.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr.11/2022, datë 17.02.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Binas Nina kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 489, datë 16.12.2021.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

-Lënien në fuqi të vendimit nr. 489, datë 16.12.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Binas Nina”, thuhet në njoftimin zyrtar të KPA-së.

Magjistratit i ishin gjetur probleme financiare në lidhje me pasurinë. Nina, i cili ka shtetësi shqiptare dhe bullgare dhe dokumente si rezident joshtetas në Shtetet e Bashkuara, u gjet nga KPK me bilanc negativ, ndërsa u ngritën pikëpyetje mbi përfitimin e dy dëmshpërblimeve në total prej 4.1 milionë lekësh dhe një rifinancimi fiskal nga SHBA në shumën 10 mijë dollarë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që hetoi rastin kryesohej nga Xhensila Pine, me relator Lulzim Hamitjan dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin në shkallën e parë. Nina këmbënguli se problemet e pasurisë ishin të shpjegueshme. Por vëzhguesi ndërkombëtar Steven Kessler i përshkroi përfitimet e dëmshpërblimeve  si “mënyra shumë fatlume” për të fituar para.

Binas Nina e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 në Prokurorinë e Librazhdit dhe në vitin 1998 është transferuar në Elbasan, deri në momentin e shkarkimit.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?