Vettingu nxjerr përfundimisht nga sistemi i drejtësisë ish-prokurorin Arjan Ndoja, i cili aktualisht kandidon si deputet për Partinë Demokratike në qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Vendimi është shpallur ditën e sotme (22 prill) nga KPA-ja, e cila i ka ndërprerë procesin e rivlerësimit për të për shkak të tërheqjes nga ankimimi i detyruar prej kandidimit si deputet, duke sjellë automatikisht edhe nxjerrjen e tij nga sistemi për 15 vitet e ardhshme.
Ndoja kishte hequr dorë nga ankimimi për vendimin e shkarkimit, (kjo pasi po kandidon për Sali Berishën në Durrës), vendim që e kishte dhënë shkalla e parë e KPK-së dhe në këto rrethana KPA ka ndërprerë procesin, duke ia ndaluar atij në të ardhmen emërimin si prokuror e gjyqtar në çdo nivel.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ishte i përbërë nga Natasha Mulaj si kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtare.
“Trupa gjykuese shpalli vendimin për çështjen nr. 32/2022, datë 14.07.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Arian Ndoja kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 528, datë 06.05.2022.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës dhe në ligjin 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
1. Nderprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit z.Arian Ndoja.
2. Ndalimin e emërimit të z. Arian Ndoja gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në vendimin e KPA-së.
Ndoja ra pre e një atentati edhe më 1 nëntor 2019 në Durrës, teksa udhëtonte në makinë edhe me një eksponent të krimit të organizuar, “Rrumi i Shijakut”, Aleksandër Laho.
Të dy mbetën të plagosur nga plumbat, teksa fatkeqësisht humbi jetën shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku. Për ngjarjen Prokuroria dhe Policia kanë identifikuar dhe hetuar një grup kriminal të dyshuar, teksa gjyqi dhe hetimet janë në proces.
Ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja është shkarkuar nga KPK më 6 maj 2022, pasi kishte lidhje me njerëz të botës së krimit dhe probleme nga ana profesionale. Prokurori i Durrësit u shkarkua me vota unanime, ndërsa e ankimoi atëkohë deri në tërheqjen së fundmi për shkak të përfshirjes në politikë, pranë Berishës dhe PD-së.
Arjan Ndoja ka qenë shënjestra e atentatit të 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit.
Ditën e ngjarjes Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi nga Sukthi (Aleksandër Laho), dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit.
Komente
