Vettingu shkarkoi Ndrecën! GJKKO rrezikon mbylljen për mungesë gjyqtarësh! Nga 16 mbeten 8, s’plotësohen 3 kolegjet

19 Janar 2021, 09:28| Përditesimi: 19 Janar 2021, 10:12

  • Share

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit e Korrupsionit rrezikon të dalë jashtë funksionit. Shkak është bërë vendimi më i fundit i vettingut që ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin Bib Ndreca.

Ndreca iu nënshtrua vettingut dhe për afro një vit vendimi ndaj tij u shty për t’u shkarkuar mëngjesin e kësaj të hëne.

Gjykata e posaçme kundër krimit e korrupsionit përbëhet nga 16 anëtarë ndërsa sot ajo ka mbetur me tetë anëtarë duke rrezikuar krijimin e tre kolegjeve, pasi çdo trupë gjyqësore përbëhet me tre gjyqtarë në kolegj.

Me tetë gjyqtarë plotësohen vetëm dy kolegje dhe një mbetet vetëm me dy gjyqtarë. Dikur ish Krimet e Rënda të krijuara në 2004, një gjykatë karriere e suksesi, sot rezulton se për pesë vakanca të shpallur ka vetëm 3 kandidatë.

Por përse nuk polotësohet gjykata e posaçme me tre kandidatë të rinj?

Report Tv mëson se shkak është kushti ligjor që kërkon kalimin e vettingut në të dyja shkallët për gjyqtarët. Mes gjyqtarëve që kanë kërkuar t’i bashkohen gjykatës së posacme kundër krimit e korrupsionit janë Erion Bani nga gjykata e Tiranës, Erjon Çela nga gjykata e Tropojës dhe një gjyqtare.

Asnjë prej tyre nuk e ka kaluar vettingun në të dyja shkallët dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor është në pritje të certifikimit si nga KPK e KPA për ti emëruar.

Në këtë situatë kur vetting shkarkon gjyqtarët dhe procesi i konfirmimit mbetet i ngadaltë kjo gjykatë rrezikon të mbyllet duke cënuar besimin e publikut ndaj reformës në drejtësi dhe pritshmërinë për të goditur të paprekshmit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?