Vetëm lindjet dhe vdekjet! Në kohë koronavirusi ZERO shanse për t'u martuar me ligj...Doracaj: Nis shpërndarja e mjeteve identifikuese...Shpejt edhe jashtë vendit

14 Prill 2020, 11:49| Përditesimi: 14 Prill 2020, 14:30

  • Share

TIRANË - Nëse një çift të dashuruarish dëshirojnë të kurorëzojnë në martesë dashurinë e tyre, këtu nuk mund ta bëjnë përpara ligjit. Shërbimi i gjendjes civile është funksional vetëm për rastet e lindjeve apo të vdekjeve për të bërë çregjistrimin. Në një intervistë për Report Tv, drejtori i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, shpjegoi se si ndodh në kohë koranavirusi regjistrimi i fëmijëve të sapoardhur në jetë.

"Të vetmet shërbime që ofron shërbimi i gjendjes civile janë lindjet dhe vdekjet. Të gjitha shërbimet e tjera nuk ofrohen sot, për arsye të radhës në sportele dhe përcjelljes së infeksionit. Martesa është një kontratë ligjore, por dhe një traditë, sot kur tradita nuk mund të respektohet, edhe kjo pjesë ligjore, akti i martesës para nëpunësit të gjendjes civile, nuk mund të ofrohet. Nuk është kontrata para nëpunësit ajo që i bën dy njerëz të bashkëjetojnë apo të krijojnë familje. Prej disa ditësh në të gjitha sportelet ofrohet shërbimi i lindjeve dhe vdekje. Isha sot personalisht tek materniteti "Koço Gliozheni" ku ndoqa nga afër procesin, i cili po ecën mirë në të gjithë vendin dhe para datës 7 prill e kishim të bllokuar për shkak të pandemisë, tashmë e ofrojnë, por nëpunësit janë me masa mbrojtëse.  Ne ofrojmë shërbime në 4 maternitete, 2 shtetërore dhe 2 private, dhe në të gjitha maternitetet në vend, në maternitetet e mëdha kemi një punonjës përgjatë gjithë kohës atje, ku ka më pak nëpunësi funksionon sapo merret në telefon, dhe atje ka gjithë infrastrukturën teknike për ta kryer shërbimin në maternitet", tha Doracaj.

Prej ditës së shtunë ka filluar procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit dhe të pasaportës. Qytetarët shkojnë në sportele për të marrë mjetet identifikuese, vetëm pas një mesazhi që i është dërguar për të ardhur në një orar të caktuar për tërheqjen e mjetit identifikues.

"Sot është dita e dytë, po ecën normalisht mirë. Qytetarëve u kërkohet të ruajnë distancën fizike, si dhe të jenë të pajisur me maska dhe doreza. Pa këto masa mbrojtëse nëpunësit nuk do t'i ofrojnë shërbim. Mesazhi lajmëron qytetarin të paraqitet në orën e caktuar, 10-15 minuta distancë nga njëri-tjetri", tha Doracaj.

Bledar Doracaj në një intervistë për Report Tv tha se shumë shpejt shpërndarja do të nis edhe në zyrat konsullore jashtë vendit.

Ndalur tek hapja e zyrave të aplikimit për rinovim apo bërje rishtazi të ID e pasaportës biometrike, Gjendja Civile ende nuk ka një vendim dhe sipas kreut të këtij shërbimi do të shihet mundësia hap pas hapi në varësi të situatës.

"I/E Nderuar! Në datë 11 Prill 2020 ora xx:yy, ju lutemi të tërhiqni Pasaportën Tuaj pranë sportelit Aleat. Respektoni orarin! (nëse paraqiteni me vonesë nuk mund të merrni shërbimin). Ruani distancën 2 metër nga qytetarët e tjerë, mbani maske dhe doreza, përndryshe nuk mund të procedojmë me procesin e shpërndarjes së Dokumentit. Tregojini këtë SMS punonjësve në hyrje të Rajonit të Policisë. Ju falënderojmë në emër të Ministrisë së Brendshme, ALEAT", është teksti i mesazhit që njofton qytetarët.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?