Të gjithë personat që vuajnë nga parkinsoni nuk gjejnë dot në farmaci medikamentin që u lehtëson atyre lëvizjen e gjymtyrëve apo dhe krizat e frikës. Report TV përmes një vëzhgimi ka zbuluar se Madopari, i cili është ilaçi bazë për këtë kategori të sëmurësh, mungon prej muajsh në farmaci.
Farmacia 1
Gazetari: E ke këtë MADOPAR-in për parkinson?
Farmacisti: Jo s’mbaj fare! Por mund të jetë dhe mungesë tregu.
Gazetari: Po një gjë tjetër alternative?
Farmacisti: Nuk ka, jo, ai është unik në Shqipëri.
Farmacia 2
Farmacistja: Është mungesë!
Farmacia 3
Farmacistja: Është mungesë. Ka dy muaj.
Familjarë të atyre që vuajnë nga parkinsoni, janë të shqetësuar pasi nuk dinë se kur ky medikament do të jetë i disponueshëm në treg. Shumëkush po lidhet me të afërm që jetojnë jashtë Shqipërisë, për ta siguruar këtë ilaç. Një prej tyre është Donaldi, i cili prej më shumë se 10 vitesh kujdeset për nënën e tij të sëmurë me Parkinson. Shëndeti i saj përkeqësohet nga viti në vit dhe Madopari është i vetmi medikament që e mban gjendjen e saj të stabilizuar.
“Momentalisht është shumë e vështirë sepse në treg prej më shumë se 1 muaji është mungesë, kam hasur shumë vështirësi, por me mundësitë e mia jashtë-shtetit ia kemi gjetur. Ky ilaç ndikon 100% dhe është ilaçi më i rëndësishëm për mamanë midis gjithë atyre që pi”, tha Donald Vasili.
“Madopari është një nga mjekimet kryesore të sëmundjes së parkinsonit, është mjekimi bazë, është ai preparat që zëvendëson pikërisht atë molekulë që mungon te këta të sëmurë. Dopaminën në formën e levodopas. Është tepër i rëndësishëm pasi është mjekimi që i jep përmirësim të shenjave, të trembjes, ngurtësimit, ngadalësimit të lëvizjes”, u shpreh Genci Çakçiri, mjek neurolog.
Madopari është një ilaç i cili bën pjesë në kategorinë e medikamenteve me rimbursim për pacientët, në të kundërt kushton 2500 lekë një shishe me tableta të vlefshme për pak ditë. Report tv u interesua pranë institucionit përgjegjës për lidhjen e kontratave të madikamenteve me rimbursim. Përfaqësues nga Fondi i Sigurimit thonë se MADOPAR është mungesë tregu jo vetëm për Shqipërinë, por në Rajon e më gjerë, për shkak të kompanisë prodhuese zvicerane Roche. Megjithatë, në një prononcim jozyrtar për Report tv, sigurojnë se shumë shpejt tregu do të mbulohet dhe ky medikament do jetë i gatshëm për përdorim nga pacientët. Nga farmacistët në kryeqytet mësojmë se madopari nuk është i vetmi ilaç në mungesë dhe problematika qendron te distributorët të cilët i sjellin dhe kontratat që firmosin.