Cilido qytetar, që nuk është në grupet e riskut për të përfituar falas vaksinën e gripit sezonal, nuk do të mund ta sigurojë dot në privat. Report Tv bëri një vëzhgim në 12 farmaci kryesore të kryeqytetit, ku asnjë prej tyre nuk e ka ende në vitrinë vaksinën antigripale.
"Jo nuk e kemi vaksinën, presim nuk e di kur mund të vij. Kur të vijnë do vijën për të gjithë", tha një farmaciste
"Jo nuk ka ardhur ende nga tetori të shohim", tha një tjetër.
"Nuk ka ardhur, s'kanë hyrë akoma, nga fundi tetorit besoj", u shpreh një tjetër farmaciste.
Këtë fakt e konfirmojnë edhe autoritetet, por nuk japin një arsye përse vaksinat ende nuk janë shpërndarë në privat.
"Privati nuk e ka siguruar në tregun e tij vaksinë ndaj gripit, nga eksperienca e viteve të tjera tregu privat ka pasur një sasi të caktuar që e ka ofruar për ata persona që donin të vaksinoheshin me vaksinën anti-gripale", tha Iria Preza, specialiste pranë ISHP
Por përse kjo vonesë? Urdhri i Farmacistëve thotë se ka një tentativë për të monopolizuar tregun.
"Jemi para një rasti të mirëfilltë të monopolizimit të tregut farmaceutik pasi ashtu siç nuk kishte ndodhur asnjëherë tjetër, qoftë nga komunikimit që farmacistët e rrjetit të hapur kanë pasur me importues-shpërndarësin përkatës, qoftë dhe nga ajo që është publikuar nga rrjetet sociale, ky rrjet farmaceutik është identifikuar si rrjeti i vetëm që do të menaxhojë dhe shpërndajë për pacientët dhe qytetarët këtë vaksinë në shitje të lirë. Shteti ka të tëra strukturat që të shprehen hapur sa i ligjshëm dhe sa normal për një treg të lirë që duhet të eci me rregulla dhe parime është ky fenomen", tha Diana Toma nga Urdhri i Farmacistëve.
Ky denoncim mori shkas nga një foto shpërndarë një ditë më parë nga rrjeti farmaceutik “Orange” për ekskluzivitetin e shitjes së vaksinës, që këtë të enjte, është fshirë nga rrjetet sociale. Report Tv u interesua pranë disa prej farmacive “Orange” në Tiranë, dhe përgjigjja e marrë është se për çështje ditësh do ta kenë për shitje vaksinën, pasi po pritet të vendoset çmimi.
"Nuk ka ardhur ende sa t'i vendoset çmimi i pullës, besoj se këto javë mund të vijë, këtu mund ta gjeni", tha një farmaci 'Orange'
"Jo s'ka ardhur, por punë ditësh do të vijë", tha një farmaci tjetër e rrjetit "Orange"
"Jo s'ka ardhur nuk e di kur vjen. Çmimi nuk dihet pasi nuk i është vënë pulla", u shpreh një tjetër faramciste e Faramci "Organe"
"Na kanë thënë që e ka marrë vetëm një farmaci "Orange" aty mund ta gjeni", tha një farmaciste.
“Orange” ka 75 % të aksioneve në depon farmaceutike “Megapharma”, në pronësi të Rasim Hamzaraj, kushëri i ish-deputetit të LSI-së, Petrit Vasili
Autorizimin për hedhjen në treg të vaksinës e jep Agjencia Kombëtare e Barnave, institucion pranë të cilit Report Tv kërkoi informacion se sa depo kanë kërkuar të shpërndajnë vaksinën anti-gripale, sa janë pranuar e refuzuar dhe nëse është vendosur për çmimin që do të ketë, por ende kjo përgjigje nuk ka mbërritur.
Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 360 mijë doza vaksine për grupet e riskut, bluzat e bardha, edukatorët, arsimtarët, të moshuarit mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, fëmijët 2-5 vjeç, etj.