Itali- Një superoperacion i policisë italiane dhe Guardia di Finanza ka çuar në shkatërrimin e një organizate kriminale narkotrafiku të kokainës nga Amerika e Jugut, e përbërë kryesisht nga shqiptarë dhe vendas.
Të paktën 11 persona janë arrestuar deri tani dhe 4 të shpallur në kërkim, të cilësuar edhe si tregtarë të mëdhenj të drogës, në Mantova, Vicenza, por edhe në Asola, Acquanegra sul Chiese, Ghedi dhe zona të tjera të rajonit.
Mes të arrestuarve janë 7 shqiptarë dhe 4 italianë. Hetimet dhe kërkimet do shtrihen edhe në Shqipëri, Spanjë dhe Rumani. Disa prej të dyshuarve janë ehde me lidhje familjare mes tyre.
U gjetën mbi 1.5 kg kokainë dhe 15 mijë euro cash, një makinë e vogël e modifikuar me fund fals për transportin e drogës, 15 telefona inteligjentë dhe materiale të ndryshme për paketimin e lëndës narkotike.
Por organizata gjatë hetimeve të kryera dhe përgjimeve, ishte evidentuar se kishte hehdur në treg 500 mijë euro për blerje kokaine dhe lloje të tjera droge, teksa në vit xhironte deri në 3,3 mln euro.
Përgjimet zbërthyen organizatën italo-shqiptare, emrat e të arrestuarve
Përgjimet e policisë çuan në zbulimin e organizatës, teksa në komunikime e cilësonin vetën edhe si “shitës me shumicë të lëndëve narkotike”. Në fakt, ata e dinin mirë sasinë e kokainës dhe marihuanës që mund të kalonin dhe trafikonin, me komunikime të koduara dhe merreshin vesh shumë mirë me grupet në Kolumbi, që më tej e sillnin në Itali nëpërmjet Spanjës.
Disa baza të magazinimit dhe përgatitjes së kokainës dhe marijuanës u gjetën në zona të ndryshme të Vicenza. Operacioni është koduar “Sheshet e pastra” dhe u finalizua ditën e djeshme, kurse sot iu komunikua edhe mediave të vendit fqinj rezultati.
Mbi 100 efektivë morën pjesë në të dhe 11 persona u arrestuan. Shumica e tyre janë shqiptarë. Policia dha emrat, ku janë 7 shqiptarë dhe 4 italianë.
Të arrestuarit shqiptarë janë: Altin Xibraku, 44 vjeç, Ogert Xibraku, 40 vjeç, Leonard Hasa, 36 vjeç, Real Selmi, 35 vjeç, Denis Bisku, 33 vjeç, Elvis Bisku, 24 vjeç, Marjus Bisku, 28 vjeç.
Të arrestuarit italianë janë: Michele Scirica, 43 vjeç, Ismaele Roman, 34 vjeç, Federico Righi, 47 vjeç dhe Denis Udria, 50 vjeç.
Gjenden 1200 doza kokainë në shtëpi
Hetimet financiare nisën në shtator të vitit 2023. Në fakt, një shtetas shqiptar u arrestua pasi GDF-ja gjeti në shtëpinë e tij rreth 1200 doza kokainë gati për shitje. Një sasi kaq e madhe ishte tregues jo i një shpërndarësi rruge, por dukshëm i një rrjeti mbresëlënës të drogës.
Kështu, gjatë hetimeve të mëvonshme, të koordinuara nga Prokuroria e Vicenzës, GDF zbuloi tre klane të dallueshme familjare: dy me origjinë shqiptare, që vepronin në provincat e Vicenza-s dhe Mantova, dhe një kolumbian, aktiv midis Brescia-s, Mantovës dhe gjithashtu jashtë vendit, në Spanjë dhe në Kolumbi, shkruan "Prima Mantova".
Të tre grupet, sipas hetimeve, kanë punuar në sinergji dhe harmoni, duke sjellë sasi të mëdha droge në Itali, edhe falë kontakteve të privilegjuara që një nga të arrestuarit ka pasur me një nga kartelet e mëdha kolumbiane të drogës.
Më tej, u zbulua një laborator ku kryhej kultivimi, tharja dhe ambalazhimi i marijuanës, me mbi 90 kilogramë lëndë narkotike, e ngritur në një fermë në Monte di Malo, e regjistruar në mënyrë fiktive për një shtetas shqiptar.
Fitimet 3.3 milionë euro në një vit, mesazhe të koduara
Banda përdori truke të shumta për të shmangur zbulimin: shkëmbime makinash midis bashkëpunëtorëve, më pas përdorej për të transportuar drogë me metodologji sekrete për të shmangur tërheqjen e dyshimeve dhe për të shmangur kontrollet. Sisteme të enkriptuara të mesazheve të çastit; kartat e telefonit dhe shtëpitë e regjistruara në emër të personave të panjohur, pa të dhëna policore; dokumente false për udhëtim jashtë vendit.
Vlen të përmendet “xhiroja” e organizatës, e cila në rreth një vit hetime investoi rreth gjysmë milioni euro cash për të mbështetur trafikimin, duke marrë fitime të paligjshme të vlerësuara në mbi 3.3 milionë euro në vit, pjesërisht të riinvestuara në trafikun e drogës dhe pjesërisht në blerjen e pronave në Itali dhe jashtë saj apo dhe në blerjen e aksioneve në klube nate të njohura në Spanjë.
Së fundmi, familjarët e njërit prej të arrestuarve kishin marrë edhe një kërkesë për blerjen e një makine të re: një Porsche Taycan, me çmim mbi 100 mijë euro.
11 prej të dyshuarve u arrestuan në flagrancë dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim, pasi besohet se ndodhen jashtë vendit. Për këtë shkak është kërkuar që hetimet dhe kërkimet të shtrihen edhe në Shqipëri, Rumani dhe Spanjë.