Qarabag fitoi 0-6 me Sumqayit në transfertë për javën e 27-të në kampionatin e Azerbajxhanit në futboll. Në këtë duel shënoi edhe Redon Xhixha, sulmuesi i Kombëtares kuqezi që vetëm pak javë më parë u bashkua me ekipin e ri duke lënë Tiranën. Në minutën e 87 të takimit, Xhixha ka qenë deçiziv me një devijim në sulmin nga e majta për miqtë, duke shënuar golin e fundit të ndeshjes.
Kurbinasi e nisi ndeshjen nga stoli, për t'u hedhur në fushë në të 68 minutë. Vetëm 19 minuta i janë dashur Xhixhës për të shënuar golin e parë me fanellën e Qarabag.
Duket se Xhixha është në formën optimale dhe është përshtatur mirë me ekipin e ri dhe goli i sotëm duket si një "sms" për trajnerin e Kombëtares, Sylvinho. Shqipëria luan në 27 mars me Poloninë në transfertë, për kualifikueset e Euro 2024.