VIDEO/ 2 gola në Izrael, Kosova barazon në transfertë! Dardanët i 'ngrin' VAR-i

25 Mars 2023, 19:54| Përditesimi: 26 Mars 2023, 15:38

  • Share

Izraeli dhe Kosova barazuan 1-1 në raundin e parë kualifikues të Europianit 2024 për grupin I. Dardanët shënuan të parët, teksa nuk mundën të mbanin epërsinë dhe e pësuan në pjesën e dytë. Skuadra e Giresse u ndal edhe nga VAR, me teknologjinë që anulloi golin e Rashicës për prekje të topit me dorë.

Ndeshja nisi mirë për Kosovën në "Bloomfield Stadium" në Tel-Aviv, me Rashicën që detyroi kapitenin Dasa në të 36 minutë të shënonte autogol para 29 mijë tifozëve. Dardanët ia dolën të mbanin avantazhin në pjesën e parë, teksa në të dytën e pësuan me Peretz në të 56 minutë. Ka qenë një gabim në vendosje ai që i kushtoi Kosovës për golin e pësuar.

Vlen për t'u theksuar se në minutën e 49 të ndeshjes, VAR i prishi festën e golit të dytë Kosovës. Milot Rashica mori një asist fantastik nga Muriqi, me sulmuesin e Galatasaray që e dërgoi sferën në rrjetë, por pas ndërhyrjes së teknologjisë gjithçka u anullua për prekje të topit me dorë.

Me këtë barazim, Kosova mban vendin e dytë në grupin I me një pikë, duke u renditur pas Zvicrës kryesuese që ka tre pikë.

Ora 21:02
Barazimi në Izrael, trajneri i Kosovës: Paraqitje e mirë, s'më pëlqeu rezultati

Alain Giresse, trajneri i Kosovës është shprehur i kënaqur pas barazimit që Dardanët morën në transfertë me Izraelin 1-1. Përballja vlente për raundin e parë kualifikues në Euro 2024. Kosova e ka nisur mirë këtë fushatë, me francezin e stolit që beson te kualifikimi në grupin I.

“Ishte ndeshje që kërkonte shumë angazhim dhe shumë rritëm. Ndoshta rezultati nuk është i kënaqshëm, por jam i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve. Në fund kemi mundur të fitojmë, por mendoj se rezultati 1-1 është mjaft i mirë. Do të shkojmë ndeshje pas ndeshje. Do të jetë rrugë e gjatë. Do të mundohemi. Ishte ndeshja e parë dhe natyrisht se kemi treguar mundësi dhe potencial të mirë. Lojtarët kanë treguar paraqitje të mirë për ndeshjet e ardhshme. Lojtarët kanë treguar se janë të gatshëm për t’u kualifikuar”, tha Giresse.

Kosova pret Andorrën në Prishtinë javën e ardhshme, ku kërkon tri pikët.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?