Një akrobat cirku është dërguar në spital pasi ka rënë nga një lartësi gjatë një shfaqjeje në Norfolk, të ndjekur nga një audiencë me të rritur dhe fëmijë.
Akrobati, rreth të 20-ave, u rrëzua teksa hipte në aparatin “rrota gjigante e vdekjes” në Cirkun Hippodrome në Great Yarmouth, Britani, të mërkurën në mbrëmje (13 Dhjetor).
Sipas raportimit të BBC, ai ka rënë nga një lartësi prej të paktën 10 metrash.
Menaxheri i cirkut tha se nuk ishte i sigurt se cila ishte natyra e lëndimeve të akrobatit, por kuptoi se kishte kocka të thyera. Jack Jay tha:
“Ai ishte plotësisht i vetëdijshëm pas rënies dhe dy anëtarë të audiencës, që besohet se ishin një oficer policie jashtë detyrës dhe një ndihmës mjekësor, erdhën për të ndihmuar”.
Duke shpjeguar se si mund të kishte rënë, Jay tha: “Dukej si gabim. Ai shkoi të hidhej përmes njërës prej rrotave dhe rrëshqiti, duke rënë në dysheme.”
Shfaqja u ndërpre menjëherë dhe policia dhe shërbimi i ambulancës u thirrën, tha Jay. Ai shtoi se zyrtarët e shëndetit dhe sigurisë janë njoftuar dhe pritet të hetojnë rënien dhe aparaturën në cirkun e ndërtuar me qëllim.
Partneri i akrobatit në këtë akt ishte vëllai i tij, i cili e shoqëroi në spital së bashku me stafin e cirkut.